Deputetët e Partisë Socialiste kërkojnë largimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga Parlamenti dhe politika. Pak ditë më parë teksa ishte duke folur para gazetarëve nga oborri i selisë blu, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim u shpreh qartë dhe pastër se amerikanët nuk e duan Sali Berishën në Parlament.
Ndërkohë që i kërkoi kreut të Partisë Demorkatike, Lulzim Basha që të distancohet nga ish-kryeministri dhe këtë mesazh ndonëse e artikuloi në gjuhën angleze, e ka thënë në mënyrën më “shqiptarçe”, duke iu referuar një shprehje të periudhës së komunizmit, pasi sipas saj, një parti nuk mund të hajë bar për hir të një deputeti.
Por duket se në të njëjtën linjë me amerikanët janë edhe socialistët, të cilët kërkojnë largimin e Berishës. Ka qenë deputetja e PS, Artemis Malo, e cila gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” , i kërkoi KQZ të zbatojë ligjin e dekriminalizimit dhe t’i heqë mandatin e deputetit ish-kryeministrit Berisha.
“Shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH është një vendim që duhet përshëndetur dhe duartrokitur, pasi i dhanë një shuplakë të fortë ish-liderit demokrat. KQZ në kuadër të ligjit të dekriminalizimit duhet t’ia heqë mandatin Berishës.
Berisha nuk duhet të jetë më pjesë e politikës aktive dhe për rrjedhojë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. PD dhe KQZ duhet të mbajnë qëndrim ndaj Berishës”, deklaroi Malo. Ndërsa deputeti i zgjedhur i PS, Petro Koçi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” u shpreh qartë se ka ardhur koha që ish-kryeministrit Berisha të largohet nga politika. “Sali Berisha duhet të shporrët nga politika. Ka dëmtuar rëndë shtetin dhe interesat kombëtare. Tani po shkelmon për hall të vet edhe interesat e PD”, deklaroi Koçi.
KQZ të zbatojë ligjin e dekriminalizimit për Berishën
Por në të njëjtën linjë me kolegët e tij Artemis Malo dhe Petro Koçi, dje është rreshtuar edhe deputeti i PS, Bujar Çela. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, i bëri thirrje KQZ-së që në kuadër të ligjit të dekriminalizimit dhe vendimit të DASH, të mos lejojë ish-kryeministrin Sali Berisha të hyjë në Parlament. Sipas tij, KQZ duhet të tregohet objektive dhe t’i heqë mandatin e deputetit Sali Berishës.
“Ligji i dekriminalizimit është zanafilla e ligjeve të reformës në drejtësi, ku dhe PD, që në veçanti është munduar të marri autorësinë sikur kishte rishpikur Rrotën, teksa me këtë ligj i thonin qytetarëve si dhe njerëzve të drejtësisë se ne po vetëpastrohemi për të mbërritur tek ju dhe sistemi ynë i kalbur i drejtësisë.
KQZ e ka të plotë autoritetin , jo të bëjë sehir me Sali Berishën, por me askënd nga të gjithe krahët e politikës, t’ju tregojë vendin , duke iu hequr mandatin jo vetëm politikanëve “non grata” për Amerikën , por dhe çdo hajduti dhe falsifikatori që nga diplomat dhe deri në abuzime kriminale me pronat dhe pasurinë publike! KQZ të mos veprojmë me Standart të dyfishtë, por nuk duhet ta lejojë Sali Berishën të futet në Parlament dhe të nis verifikimet në kuadër të ligjit të dekriminalizimit”, deklaroi deputeti Çela.