8 Dhjetori shënon Ditën Kombëtare të Rinisë, një datë që kujton lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, ngjarje që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë së vendit. Para 35 vitesh, studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës u bënë nismëtarët e kthesës së madhe demokratike, duke hedhur hapin e parë drejt vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri.
Më 8 dhjetor 1990, qindra të rinj të mbledhur në Qytetin Studenti dolën në protestë nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ata kërkuan rrëzimin e sistemit diktatorial, ngritjen e një shteti demokratik, garantimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin e vendit në familjen europiane.
E njohur si “Lëvizja Studentore e Dhjetorit”, kjo lëvizje çoi në shembjen e regjimit komunist dhe hapi rrugën për transformimin demokratik të vendit.
Sot, 8 Dhjetori kujtohet si një ditë reflektimi mbi sakrificat e rinisë së atyre viteve dhe si simbol i aspiratave për liri, demokraci dhe integrim europian.






