I jepet sot lamtumira e fundit kryepeshkopit Anstas Janullatos. Ceremonia mortore do të mbahet në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Pas dy ditësh homazhe, trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, që do jetë edhe i vizitueshëm.
Ceremonia mortore për Kryepeshkopin do drejtohet Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu, i pari mes të barabartëve në Kishën Ortodokse. Kryepeshkopi Anastas do të prehet në kriptën e Katedrales, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.
Liderët e Kishave Ortodokse në botë, por jo vetëm, do marrin pjesë në ceremoninë mortore, bashkë me ta edhe krerët më të lartë të shtetit dhe politikës në Shqipëri, por edhe të Greqisë. I pranishëm do të jetë kryeministri grek, Mitsotakis me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar, lideri i opozitës greke, por edhe Kryepeshkopi i Athinës.
Në orën 11:00 i pari që flet do jetë Bartolomeu, do mbajë fjalimin dhe do drejtojë meshën dhe do kenë fjalën si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Greqisë, Mitsotakis.
Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Report Tv ka mësuar gjithashtu se është konfirmuar pjesëmarrja e Patriarkut të Izraelit Theofili i Jerusalemit; Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi; Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj.
Gjithashtu në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, Drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.
Kryepeshkopi Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë. Krypeshkopi fronëzua në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare më 2 gusht 1992, plot 33 vite më parë në moshën 63-vjeçare. Fortlumturia e tij arriti të ringrinte nga gërmadhat Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Katedralja Ngjallja e Krishtit, e vendosur në qendër të Tiranës është kisha e tretë më e madhe ortodokse në Europë, është një ndër dhuratat e Hirësisë së tij për popullin shqiptar.