SPAK, nën patronazhin nga amerikanët pritet të sjellë të dridhura në politikën shqiptare, pasi sinjalet që vijnë nga Uashingtoni do të shkaktojnë “prerje kokash” në nivele të larta në Tiranë. Mësohet se Byroja Kombëtare e Hetimit ka përfunduar në Shtetet e Bashkuara trajnimet e 60 agjentëve të cilët tashmë janë pjesë e SPAK.
Sot kthehet në Tiranë grupi i dytë dhe nga burimet e gazetës “SOT”, drejtësia e re me ardhjen në Tiranë, do të fillojë goditjet në nivele të larta. Dosjet që po hetohen gjithë këtë kohë në këtë institucion pritet të shpërthejnë shumë shpejt. Trajnimet, programet, asistenca dhe plotësimi i dosjeve nga SHBA, paralajmërojnë që në ditët në vijim SPAK pritet të ndërmarrë veprime konkrete ndaj disa politikanëve ministrave dhe ish-ministrave që kanë abuzuar me fondet publike.
Plotësimi i dosjeve
Gjithashtu gazeta “SOT”, ka mësuar se drejtësia e re shqiptare është kthyer nga Uashingtoni duke marrë me vete disa dosje voluminoze. Mësohet se gjatë kohës së gjatë me homologët amerikanë të agjencive më të rëndësishme, përveç udhëzimeve dhe trajnimeve që kanë marrë, ju është afruar informacion shtesë edhe nga amerikanët lidhur me dosjet “përvëluese” për pushtetarët e lartë shqiptarë që ndodhen mbi tryezën e SPAK.
Bëhet fjalë për çështje të nxehta që përfshijnë politikanë, qeveritarë si dhe ndërlidhje të krimit të organizuar me shtetin dhe skemat e pastrimit masiv të parave të korrupsionit dhe të drogës. Pra vjeshta pritet të jetë më e nxehtë se vera që kaluam për pushtetarët e lartë shqiptarë të korruptuar.
Asistenca nga SHBA
Mësohet se nga trajnimi me agjentet e FBI-së, drejtësia e re shqiptare ka marrë udhëzime për praktikat e hetimeve financiare korrupsionit e ato të grupeve kriminale. Agjentët e BKH-së në trajnimin e kryer në SHBA kanë praktikuar edhe qitjet, përdorimin e armëve pistoletë dhe gjysmë automatik. BKH ka marrë pjesë në disa aksione në Shqipëri, ndërsa me sezonin e ri pritet të jenë ata që do të ekzekutojnë urdhrat e prokurorëve të SPAK dhe vendimet e GJKKO në terren.
Nga ana tjetër, trajnimi i tyre në Virxhinia nga ekspertët e FBI i kanë përgatitur hetuesit tanë të BKH e SPAK që një vëmendje të veçantë t’i kushtojnë korrupsionit. Përmes programeve të trajnimit, anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e SPAK i kanë mësuar sesi të bien në gjurmët e parave të korrupsionit dhe ta luftojnë këtë fenomen në tërësi. Trajnime ata kanë patur edhe për përgjimet, por edhe për të shmangur krimin kibernetik. Gjithashtu mësohet se programet e Trajnimit janë mbështetur te kërkesat e zyrtarëve të atashuar për të trajnuar partnerët e huaj për zbatimin e ligjit në vendet e huaja dhe në SHBA.
Akademitë Ndërkombëtare për Zbatimin e ligjit përmes programeve intensive të trajnimit u kanë mësuar teknika të menjëhershme për udhëheqjen e hetimeve. Po ashtu janë ofruar klasa të specializuara për gjithçka, nga korrupsioni e paratë e gjeneruara nga ky fenomen, tek krimi në internet. Duke nënvizuar se përgjatë vitesh Akademia e FBI në Virxhinia ka trajnuar mijëra oficerë e hetues nga e gjithë bota, shtohet se një program i tillë do të vijojë edhe më tej.
Hetuesit e SPAK dhe BKH janë trajnuar edhe për të gjurmuar të arratisurit dhe të luftojnë kërcënimet që i bëhen sot sigurisë, pasi këto nisma forcojnë sistemet ligjore dhe policore jashtë shtetit, krijojnë marrëdhënie të dobishme për të ndihmuar FBI dhe kolegët e saj ndërkombëtarë të gjurmojnë të arratisurit, të shkëmbejnë informacione dhe të luftojnë kërcënimet serioze kriminale kundër sigurisë. /Nga Elmas Bogdani