Vangjel Grabocka lindi më 18 prill të v. 1913 në fshatin Grabockë të Korçës. Në korrik të vitit 1950 ishte një nga themeluesit e teatrit profesionist “Andon Zako Çajupi” të qytetit të Korçës.
Rolet që ai solli në teatër, por edhe ato në kinematografi janë copëza të një mozaiku të madh të përfaqësimit të vlerave interpretuese. Ai ishte një personazh unik.
Ai i solli artit skenik shqiptar ato vlera dhe atë përfaqësim që e ruan të ngulitur thellë në kujtesën e gjeneratave. Ai ishte dhe mbeti një përfaqësues i Korçës, i atyre traditave, i atyre vlerave që ishin dhe mbetën thelbësisht kontribuese, për ta çuar më tej dhe për ta pararendur brezave.
Trupa e teatrit të Korçës është nga më të hershmet në historinë e teatrit shqiptar. Në fondin e artë të tij, Vangjo Grabocka ruan emrat e mjaft aktorëve e regjisorëve të talentuar, që kanë ndikuar në gjithë zhvillimin e artit teatror e kinematografik shqiptar. Njëri prej themeluesve të këtij teatri është edhe “Artisti i Merituar” Vangjel Grabocka.
Në këtë teatër ai ka interpretuar më se 200 role, ku përmendim filmat: “Armiku i Popullit”, “Lulja e kujtimit”, “Hijet e natës”, “Kopraci”, “Doktor pa dashka”, “Këneta” etj. Në kinematografi luajti rreth 25 role, kryesisht role të dyta ose episodike.
Karriera e tij fillon me një rol episodik në të parin film tërësisht shqiptar “Tana” në vitin 1958. Me tej do të vazhdonin interpretimet e tij të arrira në shumë role si: roli i Bamkë Qylollarit në filmin “I teti në bronz” në vitin 1970, roli i Dine Çobanit në filmin “Përballimi” në vitin 1976, roli i Rushanit në filmin “Streha e re” në vitin 1977, roli i gjyshit të Gonit në filmin televiziv “Me hapin e shokëve” në vitin 1979, roli i Idriz Cenkos në filmin serial televiziv “Agimet e Stinës së Madhe” në vitin 1981, roli i Kryeplakut në filmin “Kush vdes në këmbë”, roli i xha Gores në filmin “Asgjë nuk harrohet” në vitin 1985, Zonja nga qyteti etj.
Për meritat e tij artistike Vangjel Grabocka është vlerësuar më titullin “Artisti i Merituar”. Ndahet nga jeta në vitin 2008.