Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, njëherazi kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Marën përbëhet nga
Pamela Qirko, Firdes Shuli dhe Alma Faskaj.
Vladimir Mara e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2008, ai emërohet prokuror në Durrës, ndërsa në vitin 2016 u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda.
Paralelisht me detyrën si prokuror, Mara është angazhuar edhe në mësimdhënie në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Vladimir Mara është njëri prej prokurorëve që po hetojnë dosjen voluminoze 339, e cila hedh dritë ndër të tjera edhe për implikimin e personazheve të krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Publikimi i përgjimeve me protagonistë eksponentë të Partisë Socialiste është një ndër arsyet e konfliktit politik në vend, por Prokuroria nuk ka ende një rezultat për krimin e dyshuar zgjedhor.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Vladimir Mara nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private si oficer i policisë gjyqësore pranë ILDKPKI.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Marës llogaritet në vlerën e 2.1 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 182 mijë lekësh. Pasuria ndahet në automjete me vlerë rreth 1 milion lekë, kursime të akumuluara në cash prej 950 mijë lekësh dhe 227 mijë lekë likujditete bankare.
Mara deklaron gjithashtu se zotëron edhe 25% të një banese private bashkë me vëllezërit dhe prindërit, vlera e të cilës nuk është përcaktuar në deklaratën përkatëse.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 17.6 milionë lekë. Rreth 70% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit, ndërsa 26% të tjera burojnë nga paga e bashkëshortes si mësuese. Prokurori deklaron gjithashtu të ardhura të vogla nga mësimdhënia.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” deklarimin e vonë të banesës private në bashkëpronësi me familjarët si dhe mungesën e pjesës takuese që subjekti ka investuar në të.
Banesa në bashkëpronësi me 3 vëllezërit dhe prindërit është ndërtuar në vitin 2000, por është deklaruar nga Mara në deklaratën e vitit 2008. Si burim të kësaj pasurie, që në atë kohë ka qenë në proces legalizimi, subjekti deklaron “kursimet e përbashkëta”.