Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimi duket se janë në patronazhin e ndërkombëtarëve. Nga dita në ditë SHBA e BE po shtojnë thirrjet për të shkuar te zyrtarët e lartë dhe bosët e krimit të organizuar, por ndërkohë në prapaskenë po punohet shumë fort prej tyre që të arrihet diçka e tillë.
Teksa FBI trajnoi hetuesit e BKH, prokurorët specialë janë duke u trajnuar nga Antimafia Italiane. Misioni PAMECA përmes një deklarate ka njoftuar se një grup nga Prokuroria e Posaçme kanë udhëtuar në Itali për një trajnim disa ditor sa i takon teknikave hetimore. Sipas njoftimit ata do të trajnohen nga Drejtoria Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm (DNA) si dhe nga policia dhe karabinerët.
“Prokurorët e SPAK fillimisht u takuan në një tryezë të rrumbullakët përshëndetëse me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë Publike, Prefektin Vittorio Rizzi, Drejtorin e Departamentit Hetimor të Antimafias (DIA), z. Maurizio Vallone dhe Drejtorin e Shërbimit të Bashkëpunimit Policor Ndërkombëtar, z. Fabio Kajro.
Në këtë takim të parë përfaqësuesit e Policisë së Shtetit Italian dhe Prokurorët e SPAK, patën rastin të prezantojnë çështje konkrete me interes të përbashkët dhe të shprehin vlerësim të madh për bashkëpunimin e arritur në kohët e fundit”, thuhet në njoftim. Më tej bëhet e ditur se vëmendje e madhe iu kushtua teknikave hetimore dhe vlerës së tyre në gjykatë. Gjatë trajnimit dhe takimeve të mbajtura, prokurorët patën mundësinë të shkëmbejnë informacion dhe praktikat më të mira hetimore.
Diskutimet me italianët
Pak kohë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Drejtoria Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm (DNA) të Republikës së Italisë zhvilluan një takim online me objekt : “Shkëmbimi i përvojave dhe praktikat më të mira mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin”.
Në takim u diskutua mbi eksperiencat më të mira dhe problematikat e konstatuara gjatë këtij viti në marrëdhëniet ndërmjet dy strukturave (DNA dhe SPAK). Nga të gjithë pjesëmarrësit u konfirmua se pas nënshkrimit të “Memorandumit të Mirëkuptimit”, ndërmjet DNA dhe SPAK (nënshkruar në Romë me 7 Shkurt 2020) ka pasur rritje të ndjeshme të bashkëpunimit, janë krijuar disa skuadra të përbashkëta hetimore (JIU) nën drejtimin e EUROJUST, si dhe është rritur shumë shkëmbimi i informacioneve dhe provave në kohë reale, duke kontribuar në rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale në rastet e luftës kundër krimit të organizuar transnacional, në Itali dhe në Shqipëri.
Në përfundim u konkludua se kjo përvojë e deritanishme duhet të vazhdojë, të shtohen kontaktet dhe shkëmbimi informacionit si dhe rastet e hetimeve të përbashkëta, duke vlerësuar si prioritet jo vetëm dënimin e personave që kryejnë këto vepra penale me rrezikshmëri të lartë, por dhe evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve që janë krijuar me të ardhurat e aktivitetit kriminal.