Nga Reldar Dedaj
SPAK e ka si detyrim ligjor që t’i paraqesë Kuvendit dhe më pas Gjykatës provat e reja, nëse ato me të vërtet ekzistojnë, pra, e thënë shkurt: Çfarë provash të reja kemi dhe çfarë rreziku ka me kontaminu provat? Nëse do donte t’i helmonte provat përgjatë këtyre ditëve, kjo kohë ka qenë e mjaftueshme për t’i bërë.
Thënë këtë, demi është bërë tashmë dhe s’ka asnjë arsye për masa shtrënguese. Prokuroria e Posaçme duhet të zbatojë vetëm ligjin dhe siç e parashikon ligji dhe, jo me goditje kuturu. Ai nuk aplikohet me propabilitete, por me një saktësi kirurgjikale.
Ideja e Altin Dumanit për t’u futur me dhunë në historinë e vendit, pavarësisht vullnetit për ta realizuar një qëllim të tillë, po e shndërron organin e akuzës në drejtësi selektive, e bazuar më shumë se kudo në imazhin e krijuar.
SPAK, duhet të çlirohet nga emocionet që nxisin reagime hakmarrëse dhe lojërat e vogla të PR-it. Në fund të fundit, Agasi iku, Beqiri po e po dhe Troplinët i lanë shëndenë, ndonëse kishte tre muaj që urdhërarrestet kishin ardhur nga Italia.
Për ta shpjeguar më hollësisht këtë ide, duhet theksuar se masat shtrënguese, në kuptim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, konkretisht nenit 228 (jo 288), vendosen vetëm kur plotësohen njëkohësisht dy kushte themelore: ekzistenca e një dyshimi të arsyeshëm se personi ka kryer veprën penale dhe prania e një nevoje reale sigurimi, e cila mund të konsistojë në rrezik arratisjeje, rrezik për prishjen e provave ose rrezik për kryerjen e veprave të tjera penale.
Në këto kushte, kur ndaj të njëjtit subjekt janë dhënë dy masa shtrënguese dhe Gjykata
Kushtetuese ka vendosur pezullimin e tyre, lind natyrshëm pyetja: çfarë rreziku real paraqet Belinda Balkuku për prishjen e provave? Dhe, mbi të gjitha, cilat janë këto prova të reja që pretendohet se e bëjnë të domosdoshme një masë të tillë proporcionale?
SPAK mund të zgjedhë të ndërtojë një strategji procedurale duke nxjerrë prova pjesë-pjesë, por ky nuk është modus operandi i një organi akuze që synon standarde europiane. Shqipëria është vend kandidat për Bashkimin Europian dhe SPAK, si institucion kyç i drejtësisë, duhet të funksionojë në nivelin e prokurorive dhe gjykatave të vendeve anëtare. Praktika e konsoliduar europiane tregon se fillimisht mblidhen provat, garantohet transparenca me palët e interesuara dhe, më pas, me publikun, për aq sa e lejon ligji.
Raste si ai i Sarkozisë e dëshmojnë qartë këtë standard, të cilin ende nuk e kemi arritur.
Kur këto veprime vihen në dyshim nga vetë Gjykata Kushtetuese, shtrohet pyetja thelbësore nëse sistemi ynë i drejtësisë operon realisht me standarde të qëndrueshme. Standardi nuk ndërtohet duke bërë një shembull të vetëm, por përmes zbatimit të njëjtë dhe të përsëritur të ligjit në një numër të gjerë rastesh.
Sot, mbetet e paqartë se cilat janë praktikat e konsoliduara të SPAK dhe të gjykatave tona. Rastet Meta, Veliaj, Berisha dhe Balluku tregojnë të kundërtën: për rrethana të ngjashme, SPAK ka ndjekur rrugë të ndryshme procedurale, duke krijuar një “loop” vendimmarrjeje që minon sigurinë juridike. Kjo duhet të na shqetësojë veçanërisht në fazat paraprake të procedimit, sepse ligji është një dhe nuk mund të ketë dhjetë versione të zbatimit të tij nga i njëjti institucion.






