Gjykata e Lartë ka vendosur që më 5 mars te zhvillohet seanca për kërkesën e SPAK për rikthimin në qeli të Jamarbër Malltezit.
Sipas SPAK, Malltezi për të kryer korrupsion akuzohet se ka bashkëpunuar me një nga pushtetarët më të lartë të kohës, e konkretisht ish-kryeministrin Sali Berisha duke cenuar në këtë mënyrë themelet e shoqërisë madje duke e shtrirë korrupsionin edhe në vetë strukturat më të larta shtetërore.
Po kështu sipas prokurorisë, vepra penale e korrupsionit, por edhe ajo e pastrimit te parave klasifikohen në vepra të rënda që në fund dënohen vetëm me burg dhe ndaj Malltezi duhet të shkojë në qelitë e paraburgimit.
Malltezi u arrestua në tetor të 2023, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe pas një muaj qëndrimi në qeli u lirua nga gjyqtarja e Apelit, Iliriana Olldashi që caktoi masën e “arrestit shtëpiak”.