Nga Anri Bala
Reforma në drejtësi ishte një ëndërr e bukur për shqiptarët, por ngeli vetëm ëndërr. Njerëzit e drejtësisë mbetën po ata, këlyshët e padrejtësisë… sepse ikën vetëm nënat dhe baballarët. E keqja më e madhe është, se këta zagar të mirushqyer, po e kafshojnë dhe shqyejnë edhe më keq drejtësinë e vërtetë që prisnim, si qeni që të kafshon pas shpine kur shkëmbehesh me të në rrugë.
Grabitja ligjore në emër të “punës së rëndë” që bëjnë këto klloun dhe përpjekjet për të mbrojtur milionerët “tenderahumbës” si pjesë e misionit të tyre, është një akt komik dhe tallje për shqiptarët. Kur shohim çdo ditë që këta nuk bëjnë asgjë nga ajo që prisnin dhe çdo gjë nga ato që bënin dikur me pararendësit e tyre, ndjen vërtet dhimbje dhe keqardhje se si na e futën përsëri.
Kjo që ndodh sot nuk është e thjeshtë, por e koklavitur mes dhjetra arsyesh dhe faktorësh, ama njëra është më e rënda: Zgjodhëm si qershitë e Nastradinit nga tasi i pshurrosur i hale drejtësisë, më të “ndershmit”, që ishin bërë pis disa herë dhe jo përherë. I mbushëm me para që të trimëroheshin dhe të bënin drejtësi, por si makutër që janë nuk kanë të ngopur, edhe kur ata që u japin janë me barkun bosh. Madje kërcënojnë dhe kërkojnë më shumë para, për punën e madhe që s’bëjnë.
Frikacakëve të paturpshëm, as kriza, as gënjeshtrat dhe as paaftësia për të vepruar nuk u duken asgjë, ndaj varin në gjoks medalje të tjetërkujt, duke u mburrur publikisht para shqiptarëve, si heronj që pjellin miliona.
Një drejtësi që hesht, deliron, grabit, pozon dhe nuk i shikon asetet kriminale që janë kudo dhe po i vërbojnë qytetarët e ndershëm… quhet drejtësi që vret. Pasuritë e vëna nga politikanë, që askush nuk u ka thënë punë e mbarë dhe për ironi askush nuk e di se çfarë profesioni kanë, janë një ulërimë e dhimbshme e drejtësisë në agoni.
Këto prova të tmerrshme vetëm SPAK nuk i shikon, jo se është i vërbuar por i frikësuar, duke mos e justifikuar kurrë veten si i mirëpaguar. Ndërsa Gjykata e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përdhosur përfundimisht misionin e togave të zeza, firmos e vulos dënime për ngjala, peshq, kanale dhe deri për hale të ndërtuara pa leje, pa patur asnjë provë korrupsioni por me biseda kafenesh dhe telefonash si dukur… kur argëtoheshin e pasuroheshin me këto “fakte”.
Këto në fakt janë punët që po e “lodhin” SPAK dhe GJKKO, ndërsa FBI-ja shqiptare fle gjumë, duke ia dhuruar kallzimin dhe hetimin kryehajdutëve, që ky sistem drejtësie i beson, i nderon dhe i dëgjon si virgjëreshat e manastirit të “Hatas”.
Keqardhje dhe për milionat e amerikanëve, që u hodhën në një vend të duhur për njerëz të gabuar. Nuk besoj që amerikanët të jenë vetëngushlluar me një ish ministër që dënohet si shpërdorues detyre, apo po një tjetër që u akuza nga shokët dhe bashkëpuntorët që e kanë barrën e akuzave mbi shpatullat e tyre sa një mal me prova e fakte.
Amerika gabon duke i mburrur e lëvduar këto lloj hetuesish dhe gjykatësish, që na sfidojnë, duke e shitur vasalitetin e tyre si devotshmëri ligjore e që nuk kanë asnjë lidhje me reformën por me formën fizike të prejardhjes së tyre… nga llumi i një kënete që duhet tharë.
Nuk besoj, se amerikanët i konsiderojnë akuzat e DASH ndaj Berishës si deklarata apo retorik politike, siç i klasifikon i papërgjegjshmi Arben Kraja… por kanë kohë t’i ndreqin gjërat.
Për të korrur atë që mbollën, duhet të dëgjojnë mendimin e shqiptarëve… një drejtësi me një gjeneratë të re juristësh dhe magjistrash, që nuk kanë patur kurrë tutor dhe edukator gjyqtarë dhe prokuror të ish diktaturës dhe Plepave të Saliut.
Këtë drejtësi me emrin SPAK, GJKKO apo BKH, pagëzojeni me çfarë emri të doni, tashmë është e diskretituar publikisht si “arkëmortiæ i fundit i ish sistemit të padrejtësisë që qëndron akoma buzë varrit… që duhet varrosur. /Ekskluzive.al