Dy ditë më parë, GJKKO me kërkesë të SPAK-ut, riktheu në burg 68-vjeçarin Namik Simixhiu, pa një veshkë dhe me një qese ilaçe në dorë, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Teksa pensionisti Namik Simixhiu pa njërën veshkë do qëndrojë në burg pa u dënuar, nga ana tjetër, SPAK ka mbyllur në heshtje dhe në mënyrë të dyshimtë dosjen e një vjedhje të pasurive publike me vlerë dhjetëra milionë euro, me puset e naftës në Bllash.
Protagonist i dosjes së përvetësimit të pasurisë publike është trafikanti Alban Peza, i shfaqur prej vitesh si biznesmen, përfitues i koncesioneve publike për shftytëzimin e pasurive mbi dhe nëntokësore publike, përfitues i lejeve për kulla dhe resorte, duke investuar miliona euro me burim të dyshimtë.
Ende nuk dihet se me çfarë marifeti procedural dhe argumenti është mbyllur dosja, kur përvetësimi i pasurisë publike me vlerë 27 milionë euro është dokumentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit nga kompaninë Anio Oil & Gas, themeluar në vitin 2014. Alban Peza është administrator dhe pronar i vetëm i kompanisë së hidrokarbureve.
Alban Peza fitoi të drejtën për të shfrytëzuar vendburimet e naftës në Ballsh-Hekal në vitin 2018, në mënyrë të dyshimtë dhe të paqartë.
Kompania e Pezës, në bashkëpunim me Albpetrolin dhe AKBN-në, ka përdorur zyrën përmbarimore të Altin Vakos, për të transferuar licencën e operimit të kësaj fushe nga kompania TransAtlantic Albania, Ltd, degë e kompanisë amerikane GBC Oil, tek Anio Oil & Gas.
Kompania GBC Oil çoi në arbitrazh ndërkombëtar shtetin shqiptar për dy fusha të tjera, atë të Cakranit dhe Gorishtit, të cilat janë konfiskuar nga autoritetet shqiptare në vitin 2017.
Më vonë u publikuan dokumente që demonstronin se për këto fusha autoritetet shqiptare kishin kohë që negocionin me një kompani ruse, Jurimex, para se të konfiskoheshin.
Fakti që shteti shqiptar ishte përballë arbitrazhit ndërkombëtar me këtë kompani, nuk ka ndaluar përfaqësuesit e AKBN, si autoritet mbikëqyrës në fushën e hidrokarbureve, të shkelin ligjin dhe të lejojnë që tjetërsimi i licencave hidrokarbure të bëhet tashmë nga përmbaruesit dhe jo më nga institucioni që është përfaqësues i shtetit shqiptar në këtë fushë.
Licencat hidrokarbure jepen vetëm nga AKBN e cila ka eksluzivitetin e dhënies së licencave në këtë sektor. Më pas arrihet një marrëveshje hidrokarbure me drejtuesit e Albpetrolit dhe këto licenca dhe marrëveshje kalojnë për firmë tek Ministri i Energjitikës dhe në fund aprovohen me VKM nga qeveria.
Vlera që kompania Anio Oil & Gas ka ofruar për të drejtat dhe detyrimet, në të ardhmen dhe në të kaluarën e kësaj kontrate, është një vlerë qesharake prej 700,000 USD.
Fusha e naftës së Ballshit është administruar në pjesën më të madhe të saj nga kompania shtetërore Albpetrol.
Një pjesë e vogël e saj ishte nën administrimin e kompanisë TransAtlantic Albania. Nga ana e saj TransAtlantic Albania kishte akumuluar një bilanc pozitiv ndaj Albpetrolit prej 18,000 ton naftë e kuotuar me çmimin mbi $5.5 milion USD në këtë fushë të Balshit. Gjithashtu kjo kompani kishte investuar edhe mbi $13 milion dollar në këtë fushë gjatë administrimit të saj.
I gjithë ky bilanc që sipas kontratës që Albpetrol dhe AKBN kanë firmosur, i kalon tërësisht kompanisë Anio Oil & Gas të Pezës. Pra kjo kompani, blen një aset nga shteti me $700,000 që sapo ka firmosur këtë kontratë korruptive, merr menjëherë të drejtat e $18.5 milion dollarëve për këtë vendburim.
Ndërkohë që humbja për shtetin është e dyfishtë sepse jo vetëm që shteti humbi në një transaksion të vetëm $17.8 milion dollarë, por gjithashtu thellohet edhe gropa e cila është ndërtuar në arbitrazh ndërkombëtar.
Jo vetëm kaq. Por në një raport të publikuar në vitin 2023, për auditimin e veprimtarisë së Albpetrol, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstuar një tjetër skemë vjedhje të Alban Pezës me kompaninë Anio Oil & Gas ka përfshirë dhjetëra mijëra euro shpenzime në llogarinë kosto hidrokarbure në kundërshtim flagrant me parashikimet e marrëveshjes koncensionare, duke shmangur taksat.
Në krye të kësaj skeme korruptive qëndron një personazh i njohur në rrjetet kriminale, ai i Alban Pezës, me dosje të papublikuar më parë, i cili dyshohet se ka korruptuar drejtorë dhe ish ministra.
Ftojmë SPAK të kërkojë nga autoritet greke për veprimtarinë e zezë të Alban Pezës, për çfarë është dënuar, sa është dënuar dhe si e shmangur dënimin./Vijon…