Nga Anri Bala
Intimidimi kundër drejtësisë nisi dy ditë më parë, kur mediat anonime të gazetarëve anonimë apo specialë, publikuan artikuj, se Erion Veliaj pagoi gjyqtarin Engert Pëllumbi miliona euro për t’u liruar. Një pyetje kam për këta prokurorë specialë: Përse nuk gjen SPAK se kush fshihet pas këtyre portaleve intimiduese e shantazhuese?
Intimidim i drejtësisë është lëvrimi i dosjeve në duar gazetarësh, para se t’i shkojnë personit të dyshuar apo avokatëve të tij, që t’i recitojnë studiove, pa patur asnjë formim ligjor dhe bëjnë avokatin e prokurorëve, duke e prezumuar njësoj si ata subjektin nën hetim… të fajshëm, pa prova, pa gjyq. Dalja e fashikujve të SPAK fillimisht në media pa e marrë i zoti i punës, nuk i bënë Nesti Angoni, një anonim… por një prokuror, OPGJ apo punonjës brenda institucionit.
Pse nuk i përgjon dhe i lokalizon këto SPAK-u? Ndërsa baltosja nga SPAK në media e personit nën hetim, përmes Gazetarëve të Posaçëm, me lajtmotivin se brenda në dosje ka prova të mjaftueshme për të dënuar dikë, është intimidim i pastër ndaj gjyqtarit të çështjes, që të ndikohet nga perceptimi publik për subjektin nën hetim dhe të marrë vendime në favor të organit të akuzës.
Intimidimi i drejtësisë bëhet kur nuk është marrë ende vendimi për Veliaj, si këto lajmet e Gazetarëve të Posaçëm, që thonë se është paguar gjyqtari i Apelit Engert Pëllumbi nga kryebashkiaku në këmbim të lirisë dhe jo si në rastin e gjyqtarit Erjon Bani, që masën “arrest me burg” e mori në mungesë, kështu që Veliajt i’u dha vetëm referimi i masës, ndaj nuk patën mundësi Gazetarët e Zakonshëm të intimidojnë kënd.
Intimidim është të përgjosh këdo e kudo pa vendim gjykate dhe pa kriter, nëse janë deputetë apo gjyqtarë të Kushtetueses dhe mos të investohesh aspak të gjesh një kallëzues anonim, që nesër mund të dalë kallëzues i rremë.
Për gjyqtarin Engert Pëllumbi as kur mori rastin, as gjatë dhe as pas ditës së djeshme nuk pamë ndonjë artikull intimidues në media, nga ana e mediave që mbështesin Erion Veliaj… përveçse tek-tuk ndonjë kritikë pas vendimeve për masat e sekuestros, apo pranimi i provave të reja nga SPAK, që ekspertë të ndryshëm juristë apo gazetarë e vlerësojnë të ndarë, nëse ka të drejtë gjykata të pranojë prova në një gjyq apeli për masë sigurimi.
Asnjë nga këta prokurorë që po ankohen sot në gjykatë se po intimidohen nga Veliaj, nuk pati guximin të kërkonte apo të ngrinte pretendime për akuzat dhe shantazhin publik që i bënte Berisha sa brenda institucionit po aq dhe jashtë tij, i rrethuar nga të gjitha televizionet, kur i quante organizatë kriminale. As kur i ofendonte nga ballkoni i shtëpisë, as në rrjetet sociale publikisht… edhe pse këta prokurorët “trima” dhe “sypatrembur” i’a kishin ndaluar me ligj një gjë të tillë.
Nuk kemi as sot një kallëzim nga Dumani për Ilir Metën, që i tha nga salla e gjyqit: “ke për ta mbajtë vath në vesh ti”, apo kur e thërriste në media me një fjalor të rëndë, ku lëvronin lloj-lloj epitetesh si palaço, dumduman, etj.
Atëherë a na lind e drejta të pyesim, se kur na u “trimëruan” dumanët? Me Erion Veliajn i bie?!
Dhënuesit e sotëm të sallave të gjyqeve, me fjalor banal ndaj të dyshuarit Veliaj… qoftë ky i fajshëm apo i pafajshëm, presin nga ne, media, të dashurohemi me ta! Media, për dijeni të këtyre “filozofëve”, ka një mision të qartë të saj: Të rreshtohet në anën e viktimës, kur akuza rrezikon të kthehet në “prokurorë përsekutues”.
Në fakt, Erion Veliaj mund të jetë i korruptuar, hajdut, kriminel… qelbësirë siç e thërret prokurori, gënjeshtar patologjik, që do të surprizohet nga akuzat e tij. Veliaj mund të jetë gjithçka çfarë pretendon organi akuzës… por viktimë… viktimë nuk e bënë qytetarët e Tiranës, por Prokurorët e Posaçëm, një grusht të paaftësh, nga marrëzia dhe babëzia për karrierë, që për ta dënuar e sulmuan në mënyrën më banale, në sallën e gjyqit, edhe pse i lidhur pas hekurave.
Erion Veliaj, pak po e sigurtë… me sjelljen aspak profesionale dhe etike të prokurorëve specialë në sallën e gjyqit, sapo siguroi një vendim Strasburgu në favor të tij nesër. Atëherë çfarë do të thonë SPAK, Gazetarët e Posaçëm, Nestat dhe mediat anonime?
Më falni, se mos po shprehem dhe unë gabim këtu… ndoshta po intimidoj me këtë fjali edhe gjyqtarët e Strasburgut, që nesër të marrin një vendim në favor të Veliajt?
Dikush duhet t’ia sqarojë Prokurorëve Specialë, se pas vendimit, media është në detyrën e saj të japë mendim duke vlerësuar vendimmarrjen e gjyqtarit, provat e siguruara nga organi akuzës, etj. Nëse duan t’i mbyllin gojën medias e të na kthejnë në kohën e qoftëlargut, sepse SPAK kërkon që shkeljet ligjore nuk duhen denoncuar, këta fodull duhet ta harrojnë.
Drejtësia nuk bëhet në emër të Veliaj! Drejtësia përligj fjalën e lirë të medias dhe kundërshton vullnetin e një prokurorie të investuar për të prezumuar të fajshëm 100% të rasteve nën hetim… në emër të padrejtësisë.