Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të tronditin pushtetarët e korruptuar në Shqipëri. DEA amerikane ka vendosur të japë çdo informacion të mundshëm që disponon nga përgjimet e siguruara nga kriminelët e rrezikshëm, ku lidhjet e tyre kanë çuar drejt kokave “të mëdha” në politikë.
Sinjalet e forta se do të kërcasin prangat në Shqipëri u dhanë ditën e djeshme. Përfaqësuesit e SPAK zhvilluan një takim me përfaqësues të DEA në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Kreu i SPAK, Arben Kraja dhe prokurori i SPAK Vladimir Mara, u shfaqën ditën e djeshme bashkë me agjentë të DEA amerikane. Rezultati i takimit ka qenë bashkëpunim më efektiv, shkëmbim eksperiencash informacioni me qëllim rritjen e efektivitetit të goditjes së grupeve kriminale që trafikojnë substanca narkotike.
SPAK ka dhënë edhe një mesazh pas këtij takimi duke theksuar se mbetet i vendosur për të garantuar ndëshkim ndaj kujtdo dhe ndaj çdo pasurie me prejardhje nga trafiqet e drogës. Këto deklarata të forta, futin në ankth politikën shqiptare, pasi gazeta “Sot” ka raportuar pak më parë se pozitat e 4 politikanëve shumë të rëndësishëm në vendin tonë do të shkunden nga themelet, pasi kanë dalë zbuluar në biseda me anëtarë të fuqishëm të grupeve kriminale. Edhe këtë hetim e kanë në dorë ndërkombëtarët, pasi ata kanë në dorë përgjimet ku shfaqen këta zyrtarë të fuqishëm.
Janë transkriptuar qindra biseda mes anëtareve të grupeve kriminale. Bisedat kryesisht lidhen me trafikun e drogës dhe vrasjeve që kanë ndodhur për larje hesapesh. Nga burimet e gazetës “Sot”, katër personazhet e fuqishëm të politikës po hetohen si të lidhur me krimin e organizuar, dhe vjedhje e korrupsion.
Amerikanët do të dërgojnë agjentët e DEA në Shqipëri
Takimi në Uashington vjen pas lajmit se agjentët e DEA do të kenë pikën kryesore të tyre në Tiranë për të ndihmuar vendin tonë. Nisur nga “lumi” i kokainës që po zbarkon në portin e Durrësit dhe jo vetëm, SHBA ka vendosur që zbarkojë vetë në Shqipëri për të ndjekur operacionet, pasi e cilësojnë vendin tonë si nyje në Ballkan dhe jo vetëm. Padyshim që ky është një lajm i mirë për autoritetet shqiptare në luftën kundër drogës dhe i keq për krimin dhe politikanët apo biznesmenët e lidhur me rrjetet e trafikut. Shqipëria ka kaluar testet dhe është drejt hapjes së filialit të DEA-s për të vijuar goditjen e grupeve kriminale dhe luftën ndaj trafikimit të lëndëve narkotike.
Zyra e DEA-s në Shqipëri do të jetë lidhje e zyrës qëndrore në Athinë. Pjesëtarë të Dea-s do të jenë bashkë me policinë shqiptare në kontrolle kufitare si porte aeroporte e pika tokësore. Filiali i DEA-s ka fokus luftën ndaj trafikut të drograve kryesisht kokainën e cila në shqip vjen nga Amerika Latine. Prej Janarit deri tani vetëm nga informacionet e shkëmbyera me DEA-n janë kryer katër operacione për trafikun e kokainës në vendin tonë. Ndërkohë pak kohë më parë edhe një grup drejtuesish të policisë shqiptare ishin në Ekuador ku patën edhe atje kontakt me antidrogën e përfaqësues të DEA-s.
SHBA nuk tërhiqet pa zhdukur korrupsionin në Shqipëri
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosur për të çmontuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Vitet e fundit Uashington ka investuar miliona dollar në vendin tonë, duke mbështetur fuqishëm institucionet ligjzbatuese, sidomos ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Po ashtu, paralelisht përveç mbështetjes financiare, shumica e së cilës shkoi për reformën në drejtësi dhe organet e reja të dala prej saj, amerikanët kanë ndihmuar edhe autoritete shqiptare me asistencë në nivel ekspertësh, duke sjellë prokurorë nga radhët e FBI. E gjitha kjo përpjekje e fortë në rrafshin juridik është shoqëruar edhe me një mbështetje edhe në fushën ushtarake, ku Shqipëria është kryefjalë e NATO-s dhe është zgjedhur si vend për të investuar e atashuar forca special të aleancës, shumica e së cilës janë të SHBA. Të gjitha këto fakte dhe prova, tregojnë qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosur për të çuar përpara luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. /Sot