Juristja Brizida Gjikondi thotë se ishte i pritshëm mos pranimi nga ana e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të dëshmitarëve të ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”. Në një intervistë për mediat dje, Gjikondi u shpreh se personat e thirrur nga Mediu nuk kanë lidhje me ngjarjen.
Sipas saj, Mediu po luan politikisht për ta zvarritur këtë çështje. “Ishte e pritshme. Është gjykata që vendos se kush do jetë lista zyrtare e zotit Mediu. Unë gjithmonë kam thënë se zoti Mediu po luan politikisht për ta zvarritur këtë çështje. Personat që ai ka thirrur për të dëshmuar, nuk kanë lidhje fare me pasojat që solli demontimi i armëve në Gërdec, por ai merret me gjenezën.
Por po të shikosh pjesën e parë të telenovelës tragjike të Gërdecit, por edhe të fundit, të gjitha janë në kurriz të qeverisë Berisha, të ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu dhe gjithë hallkave që ndihmuan që ky korrupsion që përfundoi në mënyrë tragjike, të ndodhte. E rithem, lista e tij është qesharake. Asnjë juristi nuk i shkon në mendje që të thërrasë persona, gjeneralë të gradës së lartë në Amerikë, etj, kur kemi një rezultat që ka sjellë pasoja tragjike dhe përfshihen titullarë të qeverisë shqiptare”, deklaroi ajo.
Më tej juristja Brizida Gjikondi theksoi se SHBA i ka dhënë mbështetje dhe kurajo SPAK-ut. “Për herë të parë ndryshon standardi i procedimit të figurave të larta të shtetit shqiptare, që gjithmonë kanë qenë të pacenueshme. Përfshi këtu, familjen e ish presidentit Meta, përfshi këtu, familjen e Berishës.
Në rast se këta bëhen të cenueshëm dhe janë qytetarë të barabartë të këtij vendi, ka shpresë për të gjithë shqiptarët dhe ka shpresë se do të procedohen dhe ata që kanë qenë të korruptuar, pjesë e sistemit korruptiv në këtë vend. Për herë të parë po shohim një standard ndryshe.
Duhet të jemi realistë, është edhe meritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kam përshtypjen që vizita dje e zyrtarit të lartë të SHBA, ishte më shumë një mesazh për shqiptarët. Gjatë gjithë kohës, në zyrat e SPAK-ut kemi prezencë të SHBA.
Dihet që kjo mbështetje që i kanë dhënë SHBA zotit Dumani dhe vizionit të tij, pa bërë 10 muaj, zoti Dumani të ketë një rezultat kaq të prekshëm dhe optimist për shqiptarët pa dallim”, nënvizoi Gjikondi.