Një deklaratë mediatike se SPAK ka vënë në përgjim anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, vuri menjëherë në lëvizje kryetaren e saj Holta Zaçaj, e cila i dërgoi Altin Dumanjt një kërkesë për informacion. Mediat kanë publikuar një pjesë të përgjigjes që tashmë ka mbërritur në tryezën e organit më të lartë për interpretimin dhe garantimin e Kushtetutshmërisë në vend. Sipas Bold News, SPAK ka konfirmuar se nuk ka në hetim asnjë gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Por për çfarë bëhet fjalë? Në media pretendohet se SPAK ka vënë në përgjim gjyqtarin e Kushtetueses Gent Ibrahimi, për një vendim të Kushtetuese për ankimin e Pëllumb Gjokës që kërkonte pavlefshmërinë e transkriptimeve të platformës Sky ECC.
Në krye të letrës, Dumani rithekson kuadrin ligjor, në bazë të të cilit Prokuroria e Posaçme “nuk mund të ndajë me institucione ose palë të treta që nuk janë subjekte të procedimit penal informacion mbi ekzistencës ose mosekzistencën e procedimit penal”.
Megjithatë,- i drejtohet Dumani, Zaçajt- “në përgjigje të interesit Tuaj, mund t’iu konfirmoj se në Prokurorinë e Posaçme nuk është paraqitur asnjë kallëzim penal ndaj ndonjërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si edhe ju konfirmojmë se nuk është në statusin ‘person nën hetim’ asnjë prej gjyqtarëve kushtetues”.
Në vijim, kreu i Prokurorisë së Posaçme, duke cituar nenet 126 dhe 137 të Kushtetutës, shkruan se “Prokuroria e Posaçme nuk ka kompetencë për të kontrolluar vendimet e gjyqtarëve në çështjet konkrete, si të gjykatave të zakonshme, ashtu edhe të Gjykatës Kushtetuese”.
Por, sërish duke iu referuar nenit 148 të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, Dumani thekson se “Prokuroria e Posaçme ka juridiksionin dhe kompetencën që të ushtrojë ndjekjen penale për sjelljet jashtëgjyqësore të gjyqtarëve të çdo niveli, nëse ekzistojnë dyshimet se mundet të kenë kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv…” ose të çdo vepre tjetër penale…”.
Në shkresën e kreut të SPAK-ut përmenden dy detaje proceduriale; së pari, nuk ka kallëzim ndaj ndonjë gjyqtari kushtetues; dhe, së dyti, asnjë gjyqtar kushtetues nuk është “person nën hetim”.
Gjithsesi, këto dy elementë nuk përjashtojnë mundësinë që një individ, zyrtar, përfshirë edhe gjyqtar kushtetues, të jetë ose të ketë qenë në përgjim.
Mbi këto lajme SPAK nuk ka një deklaratë zyrtare, por në media kanë rrjedhur detaje dhe një autorizim i prokurorit Klodian Braho ku pretendohet se SPAK ka vënë në përgjim gjyqtarin Gent Ibrahimi dhe Ylli Manjanin, avokat i biznesmenit Pëllumb Gjoka. Madje, vetë avokati Manjani në një deklaratë publike ka thënë se ka qenë në përgjim nga SPAK.
Në dokumentin që ka rrjedhur në media, thuhet se bëhet fjalë për ankimin që Pëllumb Gjoka bëri në Kushtetuese, i cili kërkoi pavlefshmërinë e transkriptimeve të platformës Sky ECC.
Edhe pse kjo kërkesë e Gjokës është rrëzuar në mënyrë unanime, në autorizimin e SPAK që ka rrjedhur në media shkruhet se Prokuroria e Posaçme ka dyshime se zbardhjen e plotë të vendimi mund të ketë favorizime ndaj të arrestuarit Pëllumb Gjoka. Në autorizim, theksohet se ekzistojnë të dhëna se persona të interesuar mund të kenë ushtruar ndikim të paligjshëm tek gjyqtari Gent Ibrahimi për të arritur qëllimin e tyre.
“Gjatë kësaj periudhe, në pritje te shpalljes së vendimit të arsyetuar te Gjykatës Kushtetuese, ka informacione dhe ekzistojnë të dhëna se nga persona te interesuar për të favorizuar shtetasin Pëllumb Gjela, por edhe persona të tjerë që kanë interesa të ngjashme, po kryejnë veprimeve për të ndikuar te anëtarë të caktuar te Gjykatës Kushtetuese për të favorizuar ata në mënyrën e arsyetimit të vendimit gjyqësor te mësipërm
Sipas informacioneve, edhe pse Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e Kërkesës, palët e interesuara po kërkojnë që ndikojnë te gjyqtarë te caktuar për të bërë të mundur arsyetimin e vendimit në formën me të favorshme për kërkuesin Pëllumb Gjoka me qëllimin për të kushtëzuar apo realativizuar përdorimin e provave nga aplikacioni SkyECC në procesin gjyqësor
Ekzistojnë të dhëna se personat e interesuar mund të kenë ushtruar mbi gjyqtarin Gent Ibrahimi, me qellim për të realizuar qëllimin e tyre në mënyrën e formulimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar, kundrejt ofrimit apo premtimit të përfitimeve parregullta.
Të dhënat dhe informacionet e mësipërme, të vlerësuara në lidhje edhe me mungesën e arsyetimit sipas afatit të rregullores dhe ecurinë e çështjes gjyqësore të gjykimit në themel, vijnë në lidhje logjike dhe në përputhje me njëra tjetrën dhe janë në gjendje që të përbëjnë të dhëna të mjaftueshme për të filluar ndjekjen penale dhe për të kryer veprime te mëtejshme procedurale
Në këto kushte, ekzistojnë dyshime se mundet të jenë konsumuar, elementët e veprave penale “Korrupsioni aktit i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe “Korrupsioni pasie gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve Le drejtësisë të parashikuara nga nenet 319 dhe 319/ç të Kodit Penal
Neni 221 i K.Pr. Penale për veprat penale të parashikuar nga nenet 319 dhe 319/c tế Kodit Penal, lejon kryerjen e përgjimit në vende publike.
Neni 221/3, pikat (b) dhe (c) dhe (c) te K.Pr. Penale lejojmë përgjimin e personit të dyshuar dhe të personave të tjerë që dyshohet se marrin transmetojnë komunikime, apo marrin pjesë në transaksione me të dyshuarin
Në zbatim të nenit 223/1 te K.Pr. Penale pajisjet do të shërbejë për kryerjen e përgjimit, do te mbahet nga strukturat e policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të ngarkuar me kryerjen e përgjimit
Për sa më sipër, duke qene se ndodheni përpara kushteve te lejuara për kryerjen e përgjimit ambiental në vende publike, si dhe te kryerjes se vëzhgimit dhe filmimit, në bazë të neneve 221/2 e 3 dhe 222/6 te K.Pr.Penale.
AUTORIZOJ
1. Kryerjen e përgjimit në vende publike të subjekteve të këtij procedimi penal te përmendur më sipër, të shtetasit Gent Ibrahim si dhe subjekteve të tjera te këtij procedimi penal, të shoqëruar me vëzhgim, filmim dhe fotografim
2. Përgjimi do te kryhet me kohëzgjatje 15 ditore, duke filluar nga data 10.02.2025 deri më datë 25.02.2025
3. Për kryerjen e përgjimit ngarkohen OPG dhe policia gjyqësorë ne Sektorin e Forcës së Posaçme, Operacionale në Drejtorinë Vendore te Policisë së Tiranës të cilët duhet të mbajnë proces verbalet përkatëse për zbatimin e këtij autorizimi”, thuhet në autorizimin e rrjedhur në media.
Por, gjithsesi mbetet e paqartë se çfarë ka ndodhur, pasi nuk ka një deklaratë zyrtare të SPAK nëse ka vënë ose jo në përgjim gjyqtarë të Kushtetueses.