Seanca e djeshme ndaj prokurorit, njëkohësisht dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Besnik Cani, nuk ishte e lehtë. Avokati i prokurorit në nisje të procesit kërkoi paraprakisht ndërprerjen e mandatit të gjyqtarëve Ardian Hajdari dhe Luan Daci, për të cilët më herët ka kërkuar dhe përjashtimin e tyre nga gjykimi i tij.
Avokati i Canit kërkoi që Kolegji i Apelimit të pezullojë gjykimin e çështjes në fjalë, ndërsa kujtojmë se në seancat e para Cani i kërkoi Kolegjit që të ndërpresë procesin për të, pasi pretendon se ai nuk e gëzon më statusin e prokurorit, pasi tashmë është anëtar i KLP. Kolegji, pas kërkesave të prokurorit, pas 3 orësh diskutim mes tyre, vendosi t’i përgjigjet negativisht prokurorit, duke rrëzuar kërkesat paraprake të tij, për të nisur procesin normalisht. Në rinisjen e procesit, kryesuesi i kërkoi Komisionerit si fillim që të paraqesë qëndrimin e tij lidhur me provat e depozituara nga Cani,
Komisioneri nga ana tjetër deklaroi se prokurori me provat e depozituara nuk ka provuar të kundërtën e ankimimit, duke theksuar se i qëndron të gjitha shkaqeve të ankimimit, por prokurori i kundërshtoi. Pas kësaj, trupa gjykuese e KPA, në kuadër të shkaqeve të ankimimit dhe provave të reja që administruan dhe u bënë pjesë e fashikullit gjyqësor, vendosi të çelë hetimin gjyqësor. Por, vendosi sërish mbylljen e procesit, pasi të dyja palët nuk paraqitën kërkesë për depozitim të provave të reja shtesë.
Për pasojë, Kolegji vendosi që ta mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi Komisionerin dhe prokurorin që të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës, që u la në datën 18 shkurt. Ndërsa Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi kërkesën e prokurorit Besnik Cani për përjashtimin e dy anëtarëve Ardian Hajdari dhe Luan Daci nga seanca, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka nisur hetimet.
Mësohet se SPAK ka regjistruar procedimin ndaj dy anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi u kallëzuan nga prokurori, njëkohësisht dhe anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani. Ndërkohë, kujtojmë se ky është rasti i parë ku anëtarët e trupave të vetingut në drejtësi bëhen objekt i hetimit për akuzën e falsifikimit të formularit të aftësive profesionale.