Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho, përmes një shkrimi në gazetën “Sot” ka analizuar situatën politike në vend dhe jo vetëm.
Braho e ka nisur shkrimin e tij me situatën e zjarreve, ku ngre dyshime mbi dorën që fshihet pas tyre. Sipas tij, shumë zjarre janë të qëllimshme dhe i vetmi person që e do Shqipërinë në flakë, është ish-kryeministri Berisha.
Sipas Brahos, ai tani është në grahmat fundit për shkak të konfliktit me SHBA dhe do që të shohë vetëm tym e flakë. Nga ana tjetër, ai ka replikuar dhe me ata që kërkojnë që PS të mos futet në Parlament nëse Berisha shkon aty. Sipas Brahos, kjo nuk duhet që të ndodhë, por socialistët duhet të përballen me të dhe demokratë e tjerë, por duke u treguar të kujdesshëm të mos bien në provokimet e tyre. Braho është ndalur dhe te procesi i shkarkimit të presidentit. Në shkrim ai ka analizuar rrugët që do të ndjekë Kushtetuesja, ndërsa shprehet se gongu presidencial ka nisur të bjerë.
“Përbindëshi” piroman nekrofil
Natyra këtë stinë vere është shfaqur me kapriçio të mëdha. Të nxehtit e pa treguar më parë dhe zjarret që nuk mbahen mënd në male, pyje, kullota anë e mbanë vendit të shoqëruara me përvëlimin që sjellin disa ngjarje politike janë fenomene që duke hamendësuar, duhen shpjeguar sado pak.
Ç’të jenë këto zjarre vallë? Organet e policisë dhe Struktura e Emergjencës Civile ndër shumë arsye, dëshmojnë se shumica e tyre janë zjarrvënie të qëllimshme. Janë identifikuar mjaft persona zjarrvënës kudo, por nuk arrin të gjesh justifikimin e këtyre akteve barbare e zinxhir nga jugu në veri, a thua se në mënyrë figurative një “Përbindësh piroman” ka dalë me urën e zjarrit në dorë e shfryn flakë e kënaqet apo hakmerret kundër njerëzve. Kjo është ana fantazmagorike e çudisë së zinxhirit të zjarreve të këtyre kohëve, por mendja të shkon se është edhe një dorë djallëzore që po nxit e i vë flaken Shqipërisë sot.
Kjo dorë që në shumë vite e raste gjate këtyre 30 vjetëve na është shfaqur me një personazh “Përbindësh” që s’ja ka përtuar asnjëherë që me etjen e një piromani, atëherë kur e ka parë veten në krize ka ndezur dhe përcjellë shkrepësen. Nuk është e vështirë të kuptosh se për kë personazh e kemi fjalën. Është Ai që këtu e 30 vjet ka shkatërruar e djegur gjithçka në këtë vend. Që ka djegur e shkatërruar uzina, fabrika, sera e komplekse bujqësore, shkolla, çerdhe, spitale, shtyllat e tensionit të lartë.
Që dogji shtetin, moralin edhe me napalm. Ta bëjmë ZERO çdo gjë të sistemit të kaluar-ishte motoja e filozofisë së Sali Berishës dhe radhës së tij politike. Kështu shpjegojnë dhe shprehet e aludon një pjesë e mirë e opinionit për Kuçedrën që “vjell” zjarr këtë verë përvëluese. Pas meje, le të digjet gjithçka e qameti le të behet pas meje.
Ky është NERONI ynë që po përpëlitet në fundin e tij jo vetëm politik, i futur në ambalazhin djegës të etiketuar si person “Non Grata” i qeverise amerikane dhe presidentit Biden, i nominuar si rrezik për demokracinë dhe sigurinë, si njeri i korruptuar e i rrezikshëm. Kjo është mëse e qartë, pavarësisht mendjeve naive që bëjnë sehir me gojë hapur pa kuptuar se veç NATYRËS, është edhe përbindëshi Sali Berisha që po i kall benzinë kësaj fatkeqësie natyrore dhe po hedh në sulm kaçatorrët e zjarrit.
A duhet të futet PS në Parlament nëse nuk largohet Berisha?
A duhet të shkojë në Kuvend mazhoranca socialiste, nëse Sali Berisha, me gjithë “skualifikimin” zyrtar amerikan si non grata jo vetëm në USA, merr pjesë në veprimtaritë parlamentare? Nuk jam i këtij mendimi që shfaq një koleg i nderuar. “Hesapin” Berisha nuk e ka me socialistët, por e ka me DASH. Ta provojë të shkojë në 9 shtator në Kuvend. Ai dhe L.Basha le të luajnë me fatin politik të tyre dhe PD-së.
Qenit kur i vjen ngordhja-thotë populli, shkon pshurr tek dera e Xhamisë. Fjala është që socialistët nuk duhet të shmangen nga lufta politike në Kuvend, por ta përballojnë kolektivisht me dinjitet dhe qetësi, pa rënë pre e provokimeve të Saliut e ushtarëve të tij, qofshin dhe të rënda.
Meraku është që kjo përballje në këtë nivel të mos mbetet në protogonizmin e 2-3 deputeteve të njohur tanimë. Të gjithë duhet të angazhohen, të kaliten e mësojnë në betejat parlamentare. Kuptohet që seancat parlamentare nuk do ketë mundësi t’i drejtojë më Gramoz Ruçi, një drejtues brilant, kompetent, i paanshëm, strikt e skrupuloz si asnjë tjetër më parë, por PS-ja ka mundësi të qëmtojë në radhët e grupit parlamentar, një personazh kualitativ në argumente dhe llogjikëe dhe jo thjeshtë konferencier partiak.
“Gongu”presidencial
Një ngjarje tjetër, sa politike aq edhe institucionale vlon e ngre klimën politike të kësaj vere. Është fjala për fatin politik të Ilir Metës, të cilin Kuvendi i Shqipërisë e ka shkarkuar si president. Ndërkohë pritet që mosdakortësinë e tij dhe rregullin procedural për këto raste ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese. E pa njohura për opinionin është kur do të ndodhë kjo?
Ligji për Gjykatën Kushtetuese parashikon që Gj.K., brenda 3 muajve nga afati i dorëzimit të vendimit të Kuvendit duhet të merret vendimi nga ana e gjykatës se kur, pra në cilin afat dhe periudhë ajo do të filloje shqyrtimin. Pra afati 3 muaj nuk vlen si periudhe për të shpallur vendimin, por si afat që fillon shqyrtimin. Me gjithë padurimin e palëve, rregullat procedurale, janë rregulla e duhen respektua pavarësisht dëshirës të njërës apo tjetrës pale që përplasen. Dihet vetëm një gjë: “Gongu” për Presidentin ka rënë……