Avokati Spartak Ngjela shprehet i bindur se ish-kryeministri Sali Berisha, sipas tij, nuk ka më të ardhme politike. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, avokat Ngjela u shpreh se deri më tani pushtimin e shqiptarëve nga korrupsioni e ka goditur shpallja “non grata” e Berishës nga SHBA, ndërsa citoi vendimin e DASH duke e quajtur familjen Berisha si një çerdhe korrupsioni.
“Teksti i vendimit të Departamentit të Shtetit, që e ka nxjerrë ‘non grata’ Sali Berishën, domethënë si të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, e vë theksin se Berisha, me gjithë familjen e tij, është një çerdhe e rrezikshme korrupsioni, e cila cënon sigurinë e Amerikës”, deklaroi ai.
Meta dhe Berisha antiamerikanë
Më tej avokat Ngjela shprehu bindjen se presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë dy figura antiamerikane, ndërsa për Bashën theksoi se ka mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Zgjedhjet janë natyrë thelbësore e një demokracie.
Saliu partinë e madhe e nxori jashtë loje të pushtetit vendor dhe tashmë hyn në koalicion me një parti e një lëvizje fantazmë. Po e marrim të mirëqenë sikur të marrë pjesë në zgjedhje PD-ja e Bashës. Edhe trekëndëshi i Bermudës nuk është krijimi i tij, por e ka gjetur nga politika amerikane. Rama për politikën amerikane nuk hyn në atë trekëndësh kurse ata dy të tjerët, Meta dhe Berisha janë lëvizje antiamerikane.
Pra Basha në këtë trekëndësh ka futur edhe Ramën. Koncepti i “Trekëndëshit të Bermudës” nuk është përdorur për herë të parë nga Basha dhe njihet në konflikte politike”, deklaroi ai. Ndërkohë avokat Ngjela e cilësoi koalicionin “Shtëpia e Lirisë” si bashkim artificial dhe ilegjitim, ndërsa zbuloi edhe dy nga 2 bashkitë që do fitojë Basha. “Nuk e pranoi as gjykata as KQZ si lëvizje e pavarur.
S’kanë si e pranojnë se shkelet ligji. Është vepër penale dhe gjykata merr vendim të pavlefshëm dhe nuk kishte si t’i regjistronte. Këta s’kanë forcë juridike. Një nga këta të shtëpisë së lirisë është ‘non grata’ për korrupsion të lartë, a e dini ju këtë? Ne shtëpi të lirisë njohim Uashingtonin jo ‘non gratën’. Gjithë risia do të jetë çdo të bëjë PD legale, që duhet të marrë me patjetër Shkodrën dhe Durrësin. Ku ka vota Saliu, ai nuk doli as deputet me vota, por doli nga PD-ja”, theksoi ai.
Konflikti Rusi-Ukrainë
Nga ana tjetër dje avokat Spartak Ngjela ka folur për mediat, ndërsa u shpreh se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës mund të sjellë pasoja edhe në Ballkan, madje më tepër në Kosovë. Ngjela theksoi se pasojat e luftës mund të ndjehen edhe në Kosovë për shkak të mos anëtarësimit të saj në NATO.
“Kjo situatë mund të ndikojë në Kosovë për shkak se nuk është në NATO, ndërsa për Shqipërinë nuk asnjë shqetësim. Ndërsa qëndrimi i SHBA sipas optikës duket si kurth për Rusinë”, tha ai. Avokat Ngjela e ka cilësuar të drejtë qëndrimin e Shqipërisë krahë SHBA-së. “Qëndrimi Shqipërisë në raport me situatën e ndezur është pozitiv, pasi bëhet fjalë për rreshtim në krahë të aleatit më të madh siç është SHBA”, nënvizoi Ngjela.