Vendimi i mazhorancës për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit dhe interpretimet e ndryshme të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kanë sjellë një valë përplasjesh institucionale. Avokati Spartak Ngjela u shpreh ditën e djeshme se pas shkarkimit nga Parlamenti, Meta do të jetë i pezulluar dhe nuk do të ketë asnjë funksion deri sa të merret një vendim i formës së prerë nga Gjykata Kushtetuese, pasi kjo të jetë funksionale. Avokati më tej shprehet optimist se Kushtetuesja do e plotësojë kuorumin e vet shumë shpejt dhe brenda një kohe të shkurtër ajo do të jetë funksionale.
“Shenjat janë që Parlamenti do ta shkarkojë Metën, por çështja nuk mbaron aty, duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Por kjo gjykatë është jashtë funksionit ende dhe është Ilir Meta ai që po e bllokon. Mazhoranca është e vendosur për shkarkimin e tij. Por ka edhe një formë juridike. Sipas kësaj forme e shkarkon një herë Parlamenti dhe pastaj ai ri “stande by” pa kompetencat e presidentit, i pezulluar deri sa të ngrihet Kushtetuesja. Juridikisht operohet kështu, e shkarkon Parlamenti, por nuk shkarkohet pa shkuar në Gjykatën Kushtetuese për të marrë formën e prerë. Në rast se Kushtetuesja nuk është në formim ose në punë apo ka çështje shumë për të gjykuar, në këto momente që presidenti është i shkarkuar de facto ai qëndron i pezulluar derisa të ngrihet Gjykata Kushtetuese. Shenjat janë se kjo gjykatë mund të jetë shumë shpejt funksionale por pritet të shihet se çfarë procedure do të ndiqet”, u shpreh Ngjela për gazetën “SOT”.
Avokati më tej deklaroi se mazhoranca me ligjin e ri i ka hequr të gjitha kompetencat presidentit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Ligji i ri që del këto ditë ia ka hequr kompetencat presidentit që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të betohen te presidenti dhe në këtë mënyrë KLGJ mund të emërojë dy të tjerë. Nuk ka rëndësi farë nëse nuk i pranon presidenti pasi ata mund ta bëjnë betimin në mënyrë individuale nëpërmjet një noteri që konstaton firmën dhe ia çojnë zyrës së presidentit. Duke u nisur nga këto premisa, Gjykata Kushtetuese brenda një muaji do të plotësojë kuorumin e vet”, u shpreh Spartak Ngjela.
Hetimi nga SPAK
Por avokati në reagimin e tij për gazetën komentoi edhe ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, ku theksoi se nga ky institucion janë të rrezikuar 4 liderët e vendit, ku ndër ta veçoi presidentin Ilir Meta. Sipas Ngjelës, mbi kreun e shtetit rëndojnë shumë akuza për të cilat duhet një hetim më i thelluar.
“Gjatë këtij viti do të fillojë një hetim i thelluar i zyrtarëve të lartë dhe nën hetim do jenë 4 liderët e vendit, Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Shenjat janë që më i rrezikuar është Meta sepse ka dhe shkeljet e rënda kushtetuese si president, por edhe dyshimet e mëdha për korrupsion. SPAK do t’i marrë nën hetim sepse është kërkesë kushtetuese dhe nuk mund të shkelet Kushtetuta. Pastaj se si do ecë hetimi dhe si do vazhdojë çështja e procedimit ajo varet nga SPAK. Janë dy institucione kryesore, Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme. Kjo e fundit do të ushtrojë hetimin. Këto kohë pritet të ngrihet edhe BKH që është pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Të tre këto institucione do të merren me korrupsionin dhe krimin e organizuar, i cili është një gjëmë e madhe për Shqipërinë”, tha Ngjela.