Avokati Spartak Ngjela komentoitë dërguarin e posaçëm të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Ngjela u shpreh se ardhja e Palmer ka mërzitur jo vetëm “revolucionarët” e Moskës në Shqipëri, por edhe neoosmanët e Erdoganit në Tiranë dhe në Prishtinë. Avokati deklaroi se tani Palmerin do ta kenë prezent deri në ngritjen e plotë të strukturës së SPAK- ut.
“I dërguari i posaçëm i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer i ka mërzitur “revolucionarët” e Moskës në Shqipëri. Por edhe neoosmanët e Erdoganit në Tiranë dhe në Prishtinë. A do të veprojë me goditje cezariane Palmer, për të garantuar perspektivën perëndimore të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor? Sigurisht që po. Ai, duket se për këtë po vjen. Ishte Matthew Palmer-i ai që i bëri të flasin me vete “revolucionarët” antireformë në Shqipëri, kur deklaroi hapur se: zgjedhjet duhet të zhvillohen në 30 qershor; dhe që “targeti rus për Shqipërinë është shumë i vështirë”. Por, ky fakt tani duket se ka kaluar në proces. Prandaj, këtë mund ta quajmë “procesi Palmer për reformën shqiptare””, u shpreh Ngjela. Më tej avokati u shpreh se ngritja e organeve të reja të drejtësisë ka tmerruar të gjithë ata që kanë shkelur ligjin. Përmes një statusi të gjatë në rrjetin social Facebook, Ngjela deklaroi se ngritja e SPAK dhe vendosja e drejtësisë në vend do u shërbejë qytetarëve shqiptarë në hapjen e negociatave me BE. Sipas tij, kjo vjeshtë do të ketë rëndësi të madhe historike. “Të shumtë janë ata që ka trembur SPAK-u sot në Tiranë. Kudo, në të gjitha fushat e jetës shoqërore në Shqipëri. Në fakt, SPAK-u është grupi i institucioneve që do të vendosin drejtësinë në Shqipëri.
Drejtësia tremb çdo shkelës ligji, çdo vrasës dhe çdo hajdut- kjo është aksiomë tani. Kjo është arsyeja që kjo vjeshtë do të ketë rëndësi historike për shqiptarët: është ngritja e SPAK-ut në Tiranë dhe janë edhe zgjedhjet politike në Prishtinë. Por, sikundër që e theksuam më lart, jo rastësisht kanë ardhur të konverguara si dy ngjarjet më të rëndësishme të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. E para – ngritja e SPAK-ut në Tiranë është moment i rëndësishëm historik, sepse vjen dhe konsolidon çështjen e drejtësisë reale në Shqipëri dhe iu jep mundësinë shqiptarëve që të hyjnë në Bashkimin Evropian”, tha Ngjela.