Avokat Spartak Ngjela deklaroi ditën e djeshme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po investojnë dhe kërkojnë fillimin e reformës në drejtësi sa më parë, e cila sipas tij do të sjellëdhe arrestimin e gjithë të korruptuarve të klasës politike. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ngjela akuzoi presidentin Ilir Meta se po përpiqet të pengojë reformën duke sulmuar ndërkombëtarët nga frika e drejtësisë së re.
Avokati shtoi më tej se të gjithë shqiptarët tashmë e dinë se investimi i ndërkombëtarëve për ngritjen dhe funksionimin e SPAK dhe BKH është për të dënuar zyrtarët e lartë shtetëror që janë përfshirë në afera korruptive. “Bashkimi Evropian dha 42 milionë Euro për reformën në drejtësi. Gjermania i ka vënë Ramës shtatë kushte, të gjitha për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri. Shqipëria ka 100 vjet padrejtësi dhe vjedhje nga pushtetarët që kanë urryer dhe urrejnë shqiptarët, kurse shqiptarët po presin me ankth vendosjen e drejtësisë së munguar në vendin e tyre. Në të njëjtën kohë politika amerikane po kërkon me ngulm fillimin e reformës dhe arrestimin e të korruptuarve të mëdhenj. Të korruptuarit janë trembur dhe janë të bashkuar kundër reformës. Presidenti i korruptuar shqiptar po shkon drejt shkarkimit, dhe sigurisht që, nga ndërkombëtarët, shkarkimi i Ilir Metës konceptohet si fillimi i procesit goditës antikorrupsion në Shqipëri, kurse, vetë Meta deklaron se ‘ndërkombëtarët duan të shkatërrojnë Shqipërinë’”, u shpreh Ngjela.
Më tej, avokati deklaroi se frika nga reforma në drejtësi dhe vënia para drejtësisë të të gjithë të korruptuarve, ka bërë që shumë politikanë të shpërthejnë në sulme në drejtim të SHBA-BE. “Ja kjo është çështja. Por këtu na duhet të shtjellojmë edhe faktin se përse Meta shkatërrimin e korrupsionit shtetëror shqiptar e quan si shkatërrim të Shqipërisë? Në fakt, kështu ka ndodhur me të gjithë abuzuesit e shtetit shqiptar, kur këta janë ndodhur përballë ndëshkimit për abuzim me pushtetin. Të gjithë bëjnë sikur “merakosen” për fatin e Shqipërisë. Pse, a nuk iu tha Enver Hoxha shqiptarëve se Hrushovi kërkon të shkatërrojë Shqipërinë, kur ky i tha Hoxhës se “ti Enver Hoxha duhet të largohesh nga pushteti se ke bërë krime të karakterit stalinian””, u shpreh Ngjela.