Pavarësisht fitores që korri në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kryeministri Edi Rama pritet të nisë spastrimet brenda Partisë Socialiste.
Pak ditë më parë ishte vetë kryeministri Rama, i cili njoftoi se në 12 qershor do të mblidhet Kongresi i PS, ku dhe do të analizohet situata dhe performanca e secilit brenda Partisë Socialiste, ndërsa gjithashtu bëri me dije se ndryshojnë anëtarët e Kryesisë dhe Asamblesë së PS.
Por ditën e djeshme gazeta ka mësuar se në selinë e PS është vendosur që pasditen e 2 qershorit, në orën 18:00 tek Liqeni Artificial do të thirret mbledhja e Asamblesë Kombëtare. Mësohet se Asambleja do të mblidhet për t’i hapur rrugë mbajtjes së Kongresit të Partisë Socialiste, i cili do të mbahet 10 ditë më pas në 12 qershor, datë kjo që përkon edhe me 30 vjetorin e themelimit të PS.
Rama nis spastrimet në parti
Megjithatë, gazeta ka mësuar detaje nga ajo që pritet të ndodhë në mbledhjen e Asamblesë Socialiste, teksa fillimisht do t’i bëhet një analizë e detajuar rezultatit që Partia Socialiste mori në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ndërkohë që pritet të ketë edhe surpriza, pasi kushdo që nuk ka përmbushur detyrat e vendosura nga shefi i selisë rozë dhe nuk ka korrur rezultat të mirë në zgjedhje do të zëvendësohet nga prurjet e reja.
Po ashtu, sipas informacioneve mësohet se gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare do të ketë një analizë të strukturave nga baza deri në nivel qarku. Mësohet se i pari që do të reformohet është Kongresi dhe pas tij me radhë, Asambleja, Kryesia dhe disa degë socialiste. Nga ana tjetër, në mbledhjen e Asamblesë në 2 qershor do t’i hapet rrugë edhe çeljes së një fushate të re anëtarësimesh në PS.
Ndërkohë, siç e theksuam edhe më sipër, Asambleja do t’i hapë rrugë Kongresit të Partisë Socialiste, i cili sipas burimeve, do të zhvillohet fizikisht me praninë e të gjithë anëtarëve pasditen e 12 qershorit, por që në selinë rozë po mendohet që kongresi të zhvillohet edhe një pjesë ditën e diel, duke qenë se është një organizëm tjetër i rëndësishëm.
Ja degët që pritet të shkojnë drejt zgjedhjeve
Por gazeta ka mësuar edhe disa nga degët, krerët e së cilëve mund të largohen, për shkak se në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kanë korrur një rezultat të dobët dhe larg pritshmërive të vendosura nga kryesocialisti Edi Rama. Kështu, mësohet se qarqet që pritet të ndodhë furtuna janë Shkodra, Lezha, Tirana, Fier dhe Dibra, pasi kanë dalë dobët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017.
Më konkretisht, PS në Qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e përgjithshme të 2017 ka marrë 36.72% të votave, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit që sapo kanë përfunduar ka marrë 28.11% të votave. E përkthyer në diferencë votash, Partia Socialiste në këto zgjedhje është tkurrur me plot 8 për qind të votave në Qarkun e Shkodrës. Madje, ky rezultat, jo vetëm që solli më pak vota, por edhe një mandat më pak për socialistët, pasi në zgjedhjet e 2017 në Qarkun e Shkodrës PS mori 4 deputetë, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit, 3 deputetë.
Po ashtu edhe degët socialiste të Qarkut të Lezhës pritet të hyjnë në skaner. Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Partia Socialiste ka marrë 38.03% të votave, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, PS ka marrë 41.59% të votave. Pra, nëse bëjmë krahasim votash edhe në këtë qark, socialistët kanë dalë dobët, pasi janë tkurrur me thuajse 4%.
Por rezultat të dobët Partia Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ka marrë edhe në qarqe si Tirana dhe Fieri. Më konkretisht, PS në Qarkun e Tiranës, i cili është rritur edhe me popullsi dhe 2 mandate deputetësh, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën e 25 prillit ka marrë 48.67% të votave, duke marrë 18 mandate, po aq sa ka marrë në zgjedhjet e 2017-s kjo parti. Po ashtu edhe në Fier, PS mori të njëjtin numër mandatesh si në vitin 2017./Rigels Seliman