Në vizitën e saj të parë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologun Giorgos Gerapetritis, ministrja e Jashtme Elisa Spiropali shkoi me kërkesa të qarta për palën greke. Kryediplomatja shqiptare kërkoi heqjen e ligjit të luftës që qëndron ende në fuqi që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët evropiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha Spiropali.
Për çështjen e detit, delimitimin e zonës ekonomike detare, Spiropali tha se Tirana zyrtare mbetet e hapur për dialog në çdo kohë, por pa detaje të reja se në ç’fazë janë diskutimet mes palëve.
“Palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, u shpreh Spiropali.
Në vëmendje solli edhe një nga çështjet më të rëndësishme që shqetëson komunitetin shqiptar në Greqi, atë të pensioneve.
“Ne do ta çmonim shumë vazhdimin e negociatave teknike për marrëveshjen bilaterale për mbrojtjen sociale. Një shembull pozitiv dhe inkurajues është përvoja e suksesshme me firmosjen e marrëveshjeve të ngjashme me shumë vende partnere të Bashkimit Europian, përfshi Italinë në vitin 2024, apo edhe vende të tjera”, vijoi ministrja.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgos Gerapetritis i cili garanatoi mbështetjen e Athinës për integrimin, vijën e kuqe të marrëdhënieve dy palëshe e bëri të qartë: çështja e minoritetit grek.
“Minoriteti grek është hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve tanë, ura e komunikimit dhe bashkëpunimi. Rrendesi të vecante japin edhe kontributi emigrantët shqiptar. Vlerësojmë kujdesin e veçantë për respektimin e të drejtave të minoritetit grek që përbën prioritetin kryesor për ne”, tha Ministri.
Çështja e minoritetit grek ka ngritur shpeshherë krye si një mekanizëm bllokues i përdorur nga Athina zyrtare në momente të ndryshme të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.






