Nga Vlora, ministrja Elisa Spiropali theksoi nevojën për një proces të drejtë ligjor, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe njerëzore.
“Askush nuk është mbi ligjin, por as nën ligjin. Duhet të garantohet një proces i drejtë, të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve dhe të respektohen standardet demokratike,” u shpreh ajo.
Në deklaratën e saj, Spiropali dënoi çdo formë të linçimit publik, duke theksuar se prezumimi i pafajësisë dhe dinjiteti njerëzor nuk mund të shkelen me këmbë.
“Nuk mund të lejojmë që drejtësia të kthehet në një gjyq publik jashtë kornizave ligjore. Duhet të respektohet procesi i drejtë dhe të shmangen paragjykimet mediatike dhe politike,” tha ajo.
“Drejtësia është e pavarur se duhet të lihet e pavarur dhe duhet të lihet në heshtje të bëjë punën, e të shohë e të gjykojë vetëm provat.
As çadrat që mbrojnë njëri tjetrin, as ulërimat që duan të linçojnë apo dënojmë njëri tjetrin.
Këtë lloj drejtësie kërkojmë ne. Këtë lloj drejtësie kërkon kjo shumicë. Këtë lloj drejtësie kërkon Europa, e cila nuk niset nga shkatërrimi i të drejtave kushtetuese dhe njerëzore, por niset nga garantimi i këtyre të drejtave duke garantuar në fund drejtësi”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vijoi sot takimet në kuadër të programit “Kuvendojmë për Shqipërinë” në qarkun e Vlorës. Në ambientet e Pallatit të Kulturës në qytetin e Vlorës, znj. Spiropali prezantoi nismën “Kuvend-ON”, një program i cili shtrihet në të gjithë vendin, si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet e tyre drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit.
Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, studentë nga Universiteti i Vlorës, sipërmarrës, pensionistë, përfaqësues nga OJF, të rinj dhe të reja të qytetit, të cilët diskutuan me Kryetaren e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali për problematikat e tyre, etj.