Spitalet në Itali po zhyten një nga një në kolaps nga dyndja e papërballueshme e pacientëve me COVID-19. Mediat vendase kanë publikuar rastin e spitalit San Camilo të Romës, atje ku disa pacientë dëshmojnë se kanë qëndruar deri 12 ditë, korridoreve të spitalit pa marrë asnjë shërbim.
Një pacient 58-vjeçar thotë për të përditshmen La Repubblica se për 12 ditë ka qëndruar në urgjencë në pritje që të lirohej ndonjë shtrat. Ato i konsideron si ditët më të këqija të jetës së tij. Edhe ushqimin ua jepnin me vështirësi pasi ndihmësit ngurronin të hynin në sallat e urgjencës nga frika e infektimit.
Pamjet tregojnë qartë situatën brenda spitalit ku pacientët shtrihen edhe në pllakat e ftohta të dyshemesë. Shtypi shkruan se ka pasur edhe raste dhune fizike mes pacientëve. Kaosi arrin deri atje sa persona të droguar që kanë pasur nevojë për ndihmë urgjente u kanë vjedhur ushqimin pacientëve me COVID-19.
Rajoni i Lacios, ende ndodhet në zonën e verdhë, ashtu si shumë rajone të tjera ku kapacitetet spitalore janë ezauruar. Qeveria Conte pritet të vendosë këtë të enjte për zgjerimin e hartës së zonave të kuqe të karantinës, ku aktualisht ndodhen vetëm 4 rajone.
24 orët e fundit në Itali janë regjistruar 33 mijë infektime të reja e 623 viktima. Raporti i vdekjeve me valën e parë të pandemisë megjithatë, është rreth 9 herë më i ulët.