Bashkimi Evropian po i pret të zbardhen të gjitha faktet nga terreni rreth sulmit terrorist të kryer të dielën në Kosovë dhe më pas shtetet anëtare do të vendosin se cilët janë hapat e mëtejmë, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke shtuar se hetimet po i kryen Policia e Kosovës dhe EULEX-i e KFOR-i po ndihmojnë sipas kërkesave të policisë.
“Hetimet se çfarë ka ndodhur janë në proces e sipër dhe nuk ka përfundime ende dhe hetimet po bëhen krejtësisht nga Policia e Kosovës e asistuar nga EULEX-i dhe KFOR-i”, deklaroi Stano në konferencë për media.
“Përderisa hetimet po vazhdojnë, ne nuk do të bëjmë vlerësime të asaj se çfarë ka ndodhur në terren dhe nuk do të japim konkludime derisa hetimet vazhdojnë. Duhet të shohim faktet konkrete, duhet të shohim se kush e ka organizuar dhe ekzekutuar këtë sulm terrorist dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë.
Në këtë Bashkimi Evropian është shumë i qartë. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi të gjitha faktet përpara. Çfarë ndodhi, si ndodhi, kush saktësisht e organizoi këtë sulm terrorist?”, pohoi Stano.
I pyetur se cili është kontakti aktual i Bashkimit Evropian me Kosovën dhe Serbinë, ai pohoi se “çfarëdo hetimi që po bëhet ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me dy palët, këtë normalisht nuk e bëjmë përmes mediave, por jemi në kontakte të vazhdueshme dhe bëjmë atë që mundemi të bëjmë.
Se cilët do të jen hapat e ardhshëm të BE-së në raport me situatën, Stano tha se do të vendoset pas mbledhjes së shteteve anëtare.
“Ka shumë aktivitet politik në shumë nivele, në nivelin më të lartë politik kemi Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell, në kontakt të vazhdueshëm brenda Bashkimit Evropian, në rajon dhe gjithashtu në Kosovë dhe Serbi”, deklaroi.
“Vendet anëtare janë duke e analizuar situatën. Takimi i ardhshëm do të jetë këtë mesditë. Vendet anëtare do të takohen dhe ta diskutojnë situatën, kështu që. Këto janë proceset që janë në zhvillim tash për të pasur një vlerësim të plotë të asaj se çfarë po ndodhë dhe çfarë kursi duhet të mbajë Bashkimi Evropian për veprimet e ardhshme”.
Stano shtoi edhe se “EULEX-i brenda mandatit të vet bën gjithçka që mundet për të mbështetur Policinë e Kosovës”.
“Mund ta konfirmoj se bashkëpunimi deri më tani ka qenë shumë i mirë. EULEX-i po kryen detyrat ashtu siç po i nevojitet dhe po i kërkon Policia e Kosovës. Kështu do të vazhdojnë”.