Ndërsa SPAK ka paralajmëruar ngritjen e strukturave të posaçme për hetimin e krimeve zgjedhore, kryeministri Edi Rama ka reaguar duke thënë se “survejohen partitë politike në një proces elektorale”
Rama tha se partitë politike nuk mund të survejohen në një proces elektoral dhe se dalja në këto pozicione është “ndërhyrje në liritë dhe të drejtat politike të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre”.
“Nuk mund të survejohen partitë politike në një proces elektorale. Uroj që kjo të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet kurrën e kurrës të kthehemi në kohërat e errëta se kush merret me politike të survejohet.
Deri këtu stop! do na detyrojnë të ndërhyjmë.
Dalja në këto pozicione është ndërhyrje në liritë dhe të drejtat politike të shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre”, tha ai.
I pyetur nga një komentues se nëse mendon se heshtja e tij ndaj vendimeve të institucioneve të drejtësisë është marrë për dobësi, Rama tha si vijon:
“Nuk ka pikë rëndësie si është marrë. Ne kemi heshtur për t’i dhënë mbështetje absolute institucioneve të reja të drejtësisë. Kemi heshtur dhe nuk kemi bërë koment për asnjë rast konkret.
Ka pasur momente që jemi skandalizuar, por ama kemi shtrënguar dhëmbët kemi qepur gojën dhe kemi thënë që drejtësia të bëjë punën e vetë. Pse? Sepse janë institucione të reja, të sapokrijuara, nuk kanë ardhur nga hëna dhe as kanë rënë nga qielli. Kanë nevojë për kohën e tyre. Do të bëjnë gabimet. Por gabimet e tyre kushtojnë jetë njerëzish, trauma, plagë psikologjike ndonjëherë të pariparueshme.
Por ka një alternativë tjetër, një drejtësi e pavarur profesionale që respekton me integritet të drejtat e njeriut. Të pavarurën e kemi para syve, profesionalen duhet të luftojmë të gjithë së bashku për ta konsoliduar. Ka shumë gjëra pozitive dhe shumë negative.
Nga ana tjetër, respektimi i një standardi demokratik i një drejtësie europiane, që nuk mund të justifikojë qasjen me metoda të sigurimit të shtetit është një tjetër betejë për tu bërë, por ama në mënyrë konstruktive dhe në mënyrë shumë të vendosur. Nuk mund të cenohet të drejtat e pushtetit ekzekutiv, për të marrë vendime të cenohet administrata dhe një gjë tjetër”.