Koronavirusi Covid-19 mund të qëndrojë në ajër për të paktën 30 minuta dhe të infektojë deri në 4.5 metra, përtej distancës së sigurisë të rekomanduar nga autoritetet shëndetësore në të gjithë botën. Ky ishte rezultati i një studimi të kryer nga një ekip i epidemiologëve kinezë, të publikuar në “South China Morning Post”.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se virusi mund të zgjasë me ditë të tëra në sipërfaqet e ndotura nga piklat e vogla që dalin gjatë komunikimeve apo frymëmarrjes, duke rritur rrezikun e transmetimit nëse një person e prek atë dhe fërkon fytyrën me duar.
Koha e qëndrimit në sipërfaqe varet nga faktorë si temperatura dhe lloji i sipërfaqes. Për shembull, në rreth 37 gradë celsius, mund të mbijetojë për dy ose tre ditë në gotë, pëlhurë, metal, plastikë ose letër. Këto rezultate të studiuesve kinezë, shpjegon “South China Morning Post”, të konstatuara për një rast në transportin publik, hedhin poshtë të dhënat e specialistëve deri tani për një distancë deri në dy metra. “Mund të konfirmohet se në një mjedis të mbyllur, me ajër të kondicionuar, distanca e transmetimit të koronavirusit të ri do të tejkalojë distancën e njohur zakonisht të sigurisë”.
Dokumenti gjithashtu theksonte rrezikun që virusi të mund të mbetej aktiv edhe pasi “transportuesi” ishte larguar nga autobusi. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se koronavirusi mund të mbijetojë më shumë se pesë ditë në feçen e njeriut ose në lëngjet e trupit.
“Këshillat tona janë që të mbani një maskë gjatë gjithë rrugës (për shembull, një udhëtim me autobus)”, -shtuan studiuesit. Puna e tyre u bazua në një rast epidemie lokale më 22 janar gjatë sezonit të lartë të udhëtimit hënor të Vitit të Ri.