Njerëzit që fitojnë më shumë para kanë më pak të ngjarë ta ndajnë pasurinë e tyre sesa ata që fitojnë më pak. Kjo sipas një studimi të ri nga Queen Mary University në Londër, të publikuar në revistën Basic and Applied Social Psycology.
Hulumtuesit e zhvilluan një eksperiment social ku njerëzit u rekrutuan për të luajtur lojëra për para të vërteta.
Njerëzve iu caktua “statusi më i ulët” ose “statusi më i lartë”, gjë që përcaktoi se sa para iu dhanë atyre në fillim me çfarë u nënkuptua pasuria.
Lojërat nënkuptuan që pjesëmarrësit të vendosnin se sa para duhej të mbanin dhe sa donin t’i dhuronin për një shumë të grupit, e cila do të ndahej mes të gjithëve.
Ndonjëherë pasuria e njerëzve u përcaktua rastësisht, herave të tjera ajo bazohej në përpjekjet e tyre.
Në përgjithësi, pjesëmarrësit me status më të ulët kontribuonin më shumë në shportën grupore sesa ata më status të lartë. Dhe ata që morën “status të lartë” kontribuan edhe më pak se kur e fituan pasurinë në mënyrë rastësore.
“Për individët me status të lartë, mënyra me të cilën ishte arritur pasuria, qoftë në mënyrë rastësore apo përmes përpjekjes, duket të jetë faktori kyç që e përcakton nivelin e bashkëpunimit të vëzhguar”, tha Magda Osman, profesoreshë në Queen Mary’s School of Biological and Chemical Sciences dhe autore kryesore e studimit.
“Nuk ishte kështu edhe për individët me status të ulët. Mënyra se si e fituan statusin e tyre të ulët nuk ndikoi në sjelljen e tyre në lojë”.
Nëse fitoni status të lartë me anë të përpjekjes në vend se të rastësisë, tha ajo, keni më shumë gjasa të doni ta mbani atë që e keni fituar. Kur pasuria juaj është e kufizuar, jeni më shumë të stimuluar të bashkëpunoni.
“Çështja këtu është se edhe nëse dikush vepron në mënyrë bashkëpunuese, nuk ka arsye të mendoni se kjo është thjesht për arsye altruiste”, tha ajo.
Përkundrazi, shpresoni se duke kontribuar më shumë, të tjerët do ta bëjnë këtë gjithashtu dhe përfundimisht do të përfitoni nga kjo.
Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se të gjithë të tjerët në lojë do ta bëjnë të njëjtën gjë si ju. Me fjalë të tjera, rrezikoni më shumë nëse kontribuoni më shumë si një person me status më të ulët, sepse nuk e keni idenë nëse të tjerët do të veprojnë reciprokisht.
“Gjetja tjetër befasuese është se empatia nuk e ka asnjë ndikim në nxitjen e sjelljes pro-sociale, me fjalë të tjera kontributi me para në shportën e grupit”, tha Osman.
“Kjo ka rëndësi për shkak se ka shumë pretendime se empatia është ngjitësi që i lidhë njerëzit për të vepruar në mënyrë sociale. Ajo që e demonstrojmë është se kur paratë janë të rëndësishme, empatia nuk e luan pothuajse asnjë rol në përmirësimin e sjelljeve pro-sociale”.