Drejtues të Antiterrorit dhe një grup prokurorësh kanë mbërritur me urgjencë në qytetin e Gramshit pas ngjarjes së rëndë ku u sulmuan dhe mbetën të plagosur dy ushtarë shqiptarë nga tre shtetas rusë.
Ata kanë sulmuar me lëndë kimike ushtarakët që ruajnë perimetrin e godinës duke i lënë të plagosur.
Dyshohet se tre shtetas rusë që mbanin në duar disa harta dhe aparate fotografikë, mund të jenë pjesë e një agjenture. Ndërkohë edhe një grup prokurorësh është nisur për në vendin e ngjarjes, për të bërë zbardhjen e plotë të incidentit.
Shtetasit rusë janë pikasur nga rojet të cilët kanë kërkuar që të identifikohen dhe mes tyre ka pasur një përplasje fizike. Incidenti i rëndë është konfirmuar nga autoritetet zyrtare dhe sipas tyre personat e panjohur kanë tentuar të hyjnë në Uzinën e Armëve.
Gjatë kontrollit që ju është bërë personave të huaj u janë gjetur dhe sekuestruar mjete fotografike, ku në mikroçipe janë kapur foto të Uzinës së Armëve Gramsh.