Supervullkani, që ndodhet poshtë parkut kombëtar “Yellowstone” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është edhe më i madh nga sa ishte menduar, thonë shkencëtarët. Sipas BBC, një studim tregon se dhoma e magmës është rreth 2.5 herë më e madhe se sa ishte përllogaritur më parë.
Një ekip ka zbuluar se shpellat shtrihet për më shumë se 90 kilometra dhe përmbajnë 200- 600 kilometër kubik me shkëmbinj të shkrirë. Shkencëtarët thonë se zbulimi është befasues.
Nëse supervullkani do shpërthente sot, pasojat do ishin katastrofike. Shpërthimi i fundit ka ndodhur 640 mijë vjet më parë, duke ndikuar në klimën e planetit. Shkencëtarët nuk e dinë se kur do shpërthejë sërish ky vullkan.
Disa mendojnë se shpërthimi është i vonuar. Shkencëtarët mendojnë se vullkani shpërthen njëherë në 700 mijë vjet. Ka pasur tre shpërthime të mëdha, një 2.1 milionë vjet më parë, një 1.3 milion vjet më parë dhe një përpara 640 mijë vitesh.