Kryeministri Edi Rama me rastin e festës së Krishtlindjeve surprizoi sot stafin e Infektivit. Teksa iu çoi një buqetë me lule, Rama falenderoi mjekët dhe infermierët në punën e vështirë që kanë bërë gjatë kohës së pandemisë.
Rama u shpreh se u është shumë mirënjohës bluzave të bardha, për sakrificën e madhe që kanë bërë.
“U jemi jashtëzakonisht shumë mirënjohës. Tani që po dilnim na tha drejtori që Najda është futur në galeri dhe nuk del deri sa të ikë virusi. Shumë respekt profesore, shumë respekte të gjithëve. Është vërtetë një punë e jashtëzakonshme, është një sakrificë e jashtëzakonshme, ja që ndodhi ajo që ndodh njëherë në 100 vjet. Është mbi shpatullat tuaja mesa duket do ta kaloni me shumë sukses dhe do të mbetet e shënuar në karrierën tuaj profesionale si një moment heroik i jashtëzakonshëm dhe ju do jeni krenar për veten, për kolegët dhe familjen tuaj dhe Shqipëria do të jetë shumë krenare për ju”,- tha Rama.
Më tej ai zbuloi se QSUT do të rindërtohet, pas mbarimit të kësaj pandemie.
“Mesa duket kjo godinë do e mbylli në mënyrë të lavdishme mision e vet se mbas kësaj lufte do të bëhet godina e re, apo jo”,- tha Rama.
Lajmin e konfirmoi edhe Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Po. Ky është lajmi në fakt. Me miratimin edhe të kredisë së bankës Botërore, tashmë Infektivi është përfshirë në planin tonë për t’u rindërtuar edhe me standardet më të mira. Kështu që vitin tjetër duke shpresuar që pandemia të mos ketë këtë kurbën e madhe, patjetër që do të lehtësojë”,- tha Manastirliu.