Sali Berisha duket se do t’ besoj presidentit Ilir Meta drejtimin e opozitës. Ai ka zbuluar dje planin e bashkëpunimit me Ilir Metën, i cili pasi të lerë postin e Presidentit më 24 korrik ka deklaruar se do të jetë aktiv në politikë. Duke folur dje në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se ideja e tij është një front opozitar, me një udhëheqje kolektive, ku siç theksoi rol kryesor do të ketë Partia Demokratike.
Madje Berisha u shpreh i hapur që frontit opozitar ti bashkohen edhe faktorë të tjerë nga shoqëria civile apo njerëz të shquar, duke bërë që Rama të përballet me frontin për Shpëtimin e Shqipërisë.
“Ideja ime është një front opozitar, me një udhëheqje kolektive, ku rol kryesor ka PD. Kontributi i çdo force politike, apo faktori tjetër, organizata të shoqërisë civile, individ i shqyer është i mirëpritur. Ne jemi të hapur. Rama duhet të përballet me frontin për shpëtimin e Shqipërisë.
Disa herë jemi takuar në Baku me Presidentin Meta. Ai i mbyll këtë javë detyrimet. Mirëpritet kontributi i tij dhe i LSI-së në opozitarizmin kundër Edi Ramës. Do bashkohemi me të gjitha forcat politike që besoj se ky regjim është armiqësor ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.
Berisha sulmon Bashën
Ndërkohë, i pyetur nëse do të ftohen edhe deputetët në protestën e 7 korrikut, Berisha tha se çdo deputet është i ftuar. Ai sulmoi edhe ish-kreun e PD Lulzim Basha.“Çdo deputet është i ftuar që të rreshtohet me shumicën. Të shkëputen nga Alibasha i cili nuk është gjë tjetër veçse variant biss i Lulzim Bashës. Ndryshimi është se Bashës i bënte ndonjë telefonatë Rama dhe i ofronte ndonjë gjë, ndërsa këtyre u ka dhënë Taulant Bego Yaris”, tha ai. Partia Demokratike ka thirrur një protestë kombëtare në Tiranë, më 7 korrik ora 19:00.
Në deklaratën për mediat ditën e djeshme nga selia blu, ish-kryeministri Sali Berisha u pyet nëse protestuesit do të futen në selinë e Kryeministrisë. Berisha u shpreh se kemi të bëjmë me një front opozitar dhe vendimet merren në koalicion.“Edi Rama është i vetmi kryeministër që ia mbath para se të fillojë protesta. Është e vërtetë, nuk ka ndenjur kurrë në Kryeministri. Kemi të bëjmë me një front, nuk jam unë. Unë jam vetëm një aktor në këtë front dhe vendimet merren nga fronti”, theksoi ai.
Berisha nuk dha detaje se sa do të zgjasë protesta e 7 korrikut. Ai u shpreh se është i gatshëm që ta udhëheqë, por edhe të udhëhiqet nga kjo protestë.“Të vërtetat janë protesta duhet të jetë e atillë që nuk duhet të ndalet gjer në realizimin e qëllimit. Por cila do jetë kjo protestë që nuk do ndalet, do e përcaktojë vetë protesta. Mos harroni një parim: në lëvizje ky është një front, fronti për shpëtimin e Shqipërisë. Në një lëvizje suksesi përcaktohet kur ti pranon që njëherë udhëheq ti, njëherë të udhëheqin. Mund të të duket çudi, por vetëm në këtë mënyrë arrihet te suksesi. Unë jam i gatshëm edhe të udhëheq edhe të më udhëheqin”, u shpreh Berisha.
YOU MAY LIKE