Ecuria e Shkollës së Magjistraturës, si baza e formimit të magjistratëve të rinj, zgjidhja e ngërçit me institucionet e drejtësisë dhe vijimi i zbatimit të reformës në drejtësi kanë qenë çështjet më të ndjeshme për të cilat Komisionerja e BE, Vera Jourova është interesuar gjatë një takimi me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Takimi është mbajtur në përfundim të Ministerialit 2-ditor Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që u mbajt në Tiranë.
Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë thanë se zbatimi i Reformës në Drejtësi, ecuria e procesit te vettingut dhe ngritja e institucioneve te reja ka qenë tema kryesore e takimit dypalësh, në të cilin merrnin pjesë edhe znj.Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian si dhe Ambasadori i Delegacionit Europian në Tiranë, z.Luigi Soreca.
Komisinerja Jourova është interesuar në veçanti për procesin e vetingut dhe ka shprehur mbështetjen e saj të dhe të Komisionit Europian për çdo nevojë që do të ndihmonte në zbatimin e mëtejshëm të këtij procesi.
Ministrja Gjonaj ka theksuar se pavarësisht mungesës së konsensusit nga ana e opozitës në Parlament, lista prioritare e vetingut po përfundon dhe kjo do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë KLGJ dhe KLP, të cilat do të miratojnë kuotat e reja për shkollën e Magjistraturës duke i dhënë kështu zgjidhje ngërçit të krijuar.
Ministrja e Drejtësisë i ka thënë eurokomisioneres se Reforma ne Drejtësi ka pasur në impakt të jashtëzakonshëm dhe si asnjë proces tjetër më parë është përqafuar gjërësisht në publik duke marrë mbështetje të plotë.