Në kuadër të deklaratës së përbashkët të nënshkruar më 2025, delegacionet e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë janë takuar këtë të martë për të diskutuar lidhur me mundësitë e avancimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes
Të tre vendet u përfaqësuan në këtë takim me drejtorët e tyre të politikave të mbrojtjes dhe armatimeve, ndërsa gjatë takimit “u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse si dhe hapat e tjerë për zbatimin e deklaratës.
Takimi trepalësh u mbajt në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit që parasheh deklarata e nënshkruar në Tiranë.
Sipas deklaratës, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Ky pakt i mbrojtjes thotë se të tri shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar në mars të vitit të kaluar u cilësua si “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i është përgjigjur kritikave duke thënë se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.






