Sali Berisha deklaroi se takimi i djeshëm i Ervin Salianjit në Elbasan, është organizuar nga kreu i bandës së qytetit Suel Çela.
Berisha thotë se asnjëherë nuk ka bërë kompromis me krimin dhe në ditët më të vështira në politikë, dhe se Salianji duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.
“Në të gjithë karrierën time dhe në ditët më të vështira, kurrë nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromis me krimin. Nëse e ndjek këtë betejë, pavarësisht çmimit që ka pasur, kam bindjen se ka qenë dhe është veprimi më i drejtë.
Vija e kuqe e Berishës ndan qartë bashkëpunimin me krimin. Që një anëtar i kooptuar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar të organizojë, së bashku me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm, një takim të tillë, është absolutisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë.
Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë ka tejkaluar vijën e kuqe dhe është plotësisht përgjegjës për veprimet e tij. Për sa i përket takimit të Salianjit, kemi pasur disa informacione që pohojnë se Suel Çela ka qenë organizatori kryesor i takimit. Përshëndes të gjithë drejtuesit e PD-së të Elbasanit që bojkotuan takimin e tij”, tha Berisha.



