Në Maqedoni po ndodh gjenocidi, është njëra prej parullave pranë një tende të vogël përballë Kuvendit të Maqedonisë.
Këtu mblidhen nënshkrime dhe denarë, për të ruajtur Maqedoninë unitare.Petari, 76-vjeçar nënshkruan me entuziazëm. Ai e përkrah kauzën e peticionit. Nuk dëshiron që Maqedonia ta ndërrojë emrin dhe në asnjë mënyrë që gjuha shqipe të zyrtarizohet.
Njëjtë si Petar mendon edhe partia opozitare VMRO – DPMNE, e cila kundërshtoi me tensione miratimin e ligjit.
Në një intervistë për KTV-në kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka shpjeguar mënyrën e menaxhimit të situatës.Xhaferi e ka quajtur antikushtetues vendimin e Presidentit Ivanov për të mos e nënshkruar ligjin, por ka thënë se ai gjithsesi do të hyjë në fuqi shumë shpejt.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë ka thënë se është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, ndërkohë ka shtuar se nuk i frikësohet Gruevskit.
Sipas kreut të njërit prej institucioneve qendrore të Maqedonisë, me marrëveshjen e pritshme për emrin, ky shtet pritet që gjatë verës të hapë negociatat për anëtarësim në BE dhe të marrë ftesën për anëtarësim në NATO.