Po marr guximin të shkruaj jetën time, tani që besoj se jam afër fundit. Them “afër fundit” sepse sëmundja që kam nuk të jep mundësinë ta dish ekzaktësisht kur do të ikësh nga kjo botë…
Kam lindur në një qytezë të vogël në zemër të Shqipërisë. Ishim familje e qetë, të dy prindërit kanë punuar në shtet dhe ne ishim katër fëmijë. Nuk është se kemi qenë shumë rehat, por as keq nuk kemi qenë. Unë isha e dyta e fëmijëve.
Motra e madhe është kujdesur jo vetëm për mua, por edhe për vëllain e motrën që janë pas meje. Jo vetëm për faktin që prindërit ishin punë, por ajo besoj i ka ngjarë mamasë që është infermiere dhe bëhet copash për të tjerët. Pavarësisht fatkeqësive që i ranë mbi krye, apo emrit të tmerrshëm që kanë infermieret e mjekët në Shqipëri për shkak të korrupsionit, mamaja ime nuk meritoi të kalonte gjithë këto tmerre. Mamaja ime është infermiere në maternitet dhe, jo pse është mamaja ime, por e them me siguri që është shpirt njeriu. Këtë e thotë gjithë qyteti.
Motra e madhe jo vetëm u kujdes për ne të tre më të vegjlit, por edhe ishte e shkëlqyer në shkollë dhe arriti të shkonte në shkollë të lartë. Prindërit, me shumë vështirësi ekonomike, i paguan shkollën dhe janë të lumtur me arritjet e saj. Unë, pa mbaruar shkollën e mesme, u dashurova me një djalë që banonte jo shumë larg nesh. Këtu do të fillonte fatkeqësia ime dhe e familjes sime.
Vëllai ishte dhjetë vjet më i vogël se unë, ndërsa motra tjetër, ëmbëlsira e shtëpisë, ishte dymbëdhjetë vjet më e vogël. Ndërkohë që motra e madhe shkoi në shkollë të lartë, unë isha në gjimnaz dhe isha nxënëse mesatare, vëllai ishte në kopësht, kurse motra e vogël, në çerdhe. Këta i çoja unë në mëngjes dhe i merrja në orën katër.
Më pas, ktheheshin prindërit e mi dhe kujdeseshin ata. Unë bëja sikur mësoja, por në fakt, ëndërroja për djalin që më vinte pas rrugës për në shkollë e më dërgonte letra të ndryshme me shoqet e mia. Ëndrrat e mia merrnin udhët gjithë pasditen. Kisha parë shumë filma e me sytë mbyllur isha shumë e zonja të ëndërroja gjithë pamjet dhe vendet më të bukura ku “shëtisnim” kapur përdore unë dhe i dashuri im, Astriti.
Ëndrrat nuk zgjatën shumë, sepse pas lutjeve të shumta të Astritit, u binda të bëhesha e dashura e tij. Astriti vinte të më merrte me makinë prapa oborrit të shkollës dhe xhiroja jonë mbaronte diku në një rrugë qorre. Nuk ishin shëtitjet e ëndrrave të mia në vendet e bukura, por ishin takime mes puthjesh e përkëdheljesh të shumta dhe mua më pëlqenin. Fjalët e ëmbla më vinin si ujvarë në vesh e më çonin në qiellin e shtatë.
E kisha vendosur që në atë kohë kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeçe: Do martohesha me Astritin sapo të mbaroja shkollën e mesme! Nuk mund të duroja ta takoja kështu, vetëm dy herë në javë. Por Astriti, si profesionist, e kishte menduar edhe këtë… Ai tha se babai im kishte bërë një sherr me babain e tij para shumë vitesh dhe se ata nuk do të ishin dakord që ne të martoheshim bashkë.
– Kam frikë se prindërit e tu nuk do të jenë dakord që ne të dy të martohemi. Ata janë grindur keq me njëri-tjetrin. S’e di si do t’ia bëjmë që të vijmë të të kërkojmë në shtëpi.
– Po do pajtohen, – thosha unë, – sepse do jem unë në mes të këtij muhabeti. Babait do t’i them që unë të dua të ty dhe ai s’ka shanse të jetë kundra.
– Po sikur të ikim? Hajde me mua dhe i çojmë fjalë nëpërmjet një kushëririt tim që e njeh babain tënd. Thjesht, u themi që ne jemi martuar dhe më vonë ai do të të pranojë. Kështu, do shkosh e do vish sa herë të duash. Pastaj, sa për fillim, të dua vetëm për vete, nuk do të kesh kohë as të shkosh te prindërit, asgjëkundi, të dua vetëm në shtratin tim. Nuk më pëlqen t’i lutem edhe atij, boll t’u luta ty… – thoshte e më guduliste, më bënte për të qeshur.
Kishim një vit e gjysëm që ishim të dashuruar dhe sigurisht, si adoleshente vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe, siç isha, u binda. Më kishte folur shumë shpesh në takimet tona për Italinë e vendet e tjera të Europës. Sa mirë ishte e jetohej atje! Ai më tha që do të iknim në Itali sa për fillim e pastaj do të kalonim në Gjermani, te djali i xhaxhait të tij. E vendosëm që ai do të fliste me një shokun e tij që merrej me kalimin e shqiptarëve klandestinë për në Itali.
– Është më mirë të presim të ikim me traget. Ndoshta është pak më shtrenjtë, por më e sigurtë – më thoshte. Të gjitha këto që më thoshte më jepnin sigurinë që ai më donte dhe do të isha vetëm e tija, derisa në takimin e ardhshëm, më tha:
– Me traget, as që bëhet fjalë. S’kam ku t’i gjej gjithë ato para për të dy. Vetëm nëse iki unë një herë e pastaj të çoj lekët e të vish ti vetëm, por nuk dua që ti të udhëtosh vetëm.
Edhe unë u tremba nga ideja e udhëtimit vetëm. – Më mirë bashkë, – i thashë dhe kështu u vendos që të martën (pas katër ditësh), do të më tregonte me letër vendin dhe orën ku do takoheshim që të iknim.
Letra erdhi dhe unë zgjodha rrobat më të bukura që të ikja të nesërmen. Do të ikja direkt nga shkolla. Pasi çova motrën në kopësht dhe vëllain në shkollë (ai ishte rritur, ishte në klasën e parë) i putha fort e fort të dy dhe ika në vendin e takimit e jo në shkollë.
Astriti më priste aty, i qeshur, por jo si gjithmonë. Hipa në makinë dhe u nisëm. Më tha se ndoshta do të na duhej të rrinim një natë te kushëriri i tij, në varësi se si do të ishte deti se gomonia nuk nisej në çfarëdolloj moti.
Isha e lumtur që isha me të, por kisha edhe një ndjenjë të tmerrshme frike se çfarë më priste. Mendoja se më donte dhe kisha besim tek ai, por edhe histori nga më të shumtat që u kishin ndodhur vajza të tjera, kisha dëgjuar. Kur arritëm në një ndërtesë që e lexova se ishte hotel, hymë në një dhomë. Aty, bëmë dashuri dhe ai më tha:
– Kjo është hera e fundit që bëj dashuri me ty, sepse tani e tutje ti do të punosh për mua e për shokët e mi…
U tremba e nuk arrita të mendoja për atë që më tha. Lotët m’u mblodhën menjeherë në sy dhe i thashë të më përsëriste dhe një herë ato që më tha, por nuk kishte më kohë për përsëritje apo për sqarime. Sapo ai u vesh, në dhomë erdhën dy djem të tjerë që më zgërdhiheshin si djaj. Ndërsa ata filluan të përvishnin mëngët dhe të më qëllonin, lotët më rridhnin dhe përpiqesha të kujtoja çfarë më kishin thënë për Astritin. Askush nuk më kishte thënë që ai ishte halabak rrugësh, askush nuk më kishte dhënë përshtypje të këqija, i njihnim prej vitesh në qytet. Ndërsa përpiqesha të mbahesha nga goditjet që më vinin njëra pas tjetrës, njëri nga dy djemtë doli jashtë bashkë me Astritin. Tjetri u zhvesh dhe më përdhunoi. Nuk më linte as të nxirrja frymë e jo më të ulërija. Kështu vazhdoi radha, nuk e di edhe me sa djem. Më duket se të nesërmen më vunë në skaf dhe e kuptova që kisha përfunduar në semafor.
Sa herë që kundërshtoja apo sillesha “keq” me klientët, dhuna ishte e pamëshirshme. Jeta ime vazhdoi në këto kushte edhe për shtatë vjet të tjera. Pas shtatë vjetësh, “eksperienca në punë” më kishte mësuar të sillesha me çdo lloj tipi. Arrita të bindja shefin të kthehesha një herë në shtëpi, i premtova që do të kthehesha dhe ashtu ndodhi. Kushti që unë do të kthehesha në punë, ishte siguria e jetës së vëllait tim. Nëse unë do të bëja ndonjë budallallëk e do të tregoja, ata do të vrisnin vëllain tim.
Erdha në shtëpi pas kaq kohësh. Prindërve u thashë që isha martuar me një gjerman dhe se jetoja në Veri të Italisë. Ata nuk dinin të më besonin apo jo, por u tregova shumë bindëse, që të mos u shtoja më brengë. Ndenja një muaj në shtëpi. Prindërit ishin të lumtur se isha gjallë, por tashmë u bënë kuriozë të njihnin edhe dhëndrrin.
– Po pse s’na lajmërove që ishe gjallë të paktën? – më thoshte im atë. – Nuk dinim a të të qanim a çfarë të mendonim për ty.
Një natë, kur mendova që motra e madhe me fëmijët dhe vëllai e motra e vogël kishin fjetur, fillova të flisja me prindërit. E kisha detyrim për ta t’u tregoja pak fare se ç’më ndodhi, por në fund do ta zbukuroja historinë.
– Ba, në fillim kam punuar në semafor, sepse djali i B. ZH, i dyti, Astriti, më premtoi se do të martohej me mua dhe më degdisi të punoja si prostitutë. Më pas, u njoha me burrin tim. Ai më largoi prej andej dhe tani jam mirë. Harroje këtë histori, – i thashë, – tashmë ka mbaruar. Të betohem që jam shumë mirë.
Të dy, babai dhe ime më, u zverdhën, ndërkohë që u hap dera e kuzhinës.
– Astriti të ka çuar në semafor? – dëgjova të vinte një zë që na trembi të treve.
– Jo, nuk është e vërtetë, – i thashë, – unë jam martuar qysh në fillim dhe nuk kisha asnjë numër telefoni që t’ju lajmëroja. Deri tani kam pritur që të bëhem me dokumente, prandaj s’kam ardhur dot as vetë. – u përpoqa ta ngatërroja historinë.
– E dëgjova të gjithën, – më tha vëllai, – e dëgjova shumë qartë. Astriti, ai me aty sytë tinëzarë që më shmanget kudo ku më sheh në rrugë, ai është! Ah, motra ime, ti e di qyteti ynë shtatë pallate është gjithsej dhe njeriu këtu këto thashethemesh bën, “ky më pa kështu”, “ai ktheu kurrizin”, “x më tha…” ti e ke parasysh si ndodh se prej këndej ke dalë shtatëmbëdhjetë vjeçe.
Gjithë plani që kisha bërë më ishte përmbysur, prindërit filluan të qanin, vëllai shtrëngoi grushtat, tha edhe një herë “natën e mirë” dhe iku në dhomë.
Të nesërmen, ai hëngri mëngjes si gjithmonë dhe doli pa reaguar fare për çfarë kishte dëgjuar një natë më parë. Ne me prindërit po e shihnim me kujdes, por na u duk i qetë. Ajo qetësia e tij do të na merrte në qafë pas gjysëm ore. Vëllai kishte shkuar te lokali ku Astriti pinte kafenë e mëngjesit dhe ishte ulur direkt në tavolinë. Sigurisht, ai ka qenë me shokë, ndërsa vëllai im ishte vetëm, mes një tufe langonjsh. Si fillim, i kishte folur për një film që kishte parë një natë më parë, ndërkohë që i ishte afruar edhe më shumë, duke i hutuar shokët e Astritit.
– Kam ardhur të marr hakun e motrës sime, – kishte thënë në fund vëllai im dhe i kishte ngulur thikën. Në moment, shokët e Astriti ishin çuar dhe e vranë vëllain tim. Im vëlla vdiq aty, në lokal, ndërsa Astriti, vdiq pas dy orësh, në spital.
Në ato kushte, e mendova që isha e padëshiruar edhe për prindërit e mi. Menjëherë pas varrimit të vëllait, ika. Nuk doja të shkoja në polici e të më merrnin në pyetje. Kur u ktheva në Itali, sigurisht që më rrahën e më keqtrajtuan sepse u kisha prishur punë, pasi policia do të fillonte hetimet. Nuk më bëri përshtypje as dhuna e tyre, as asgjë që ndodhi më pas. Isha kthyer me një qëllim: Të merrja hakun e vëllait tim.
I njihja jo vetëm klientët me të cilët kisha kohë që punoja, por edhe klientët e shoqeve të mia. Për njërin, shoqet e mia më kishin thënë se ishte biseksual dhe ishte me SIDA. Vendosa t’i kërkoja shoqes sime ta zëvendësoja dhe ajo më porositi të kujdesesha, për shkak të virusit të tij. Kjo ishte ajo që doja, të merrja edhe unë virusin; ajo ishte mënyra më e mirë për t’u hakmarrë. Dhe ashtu ndodhi. Klienti më kërkoi edhe disa herë të tjera dhe tashmë isha e sigurtë se edhe unë isha me SIDA.
Pas gjashtë muajsh në Itali, erdhën dy vëllezërit e Astritit, me qëllimin e keqtrajtimit tim. Pas një dhune të tmerrshme, sigurisht që deshën edhe të kryenin marrëdhënie me mua. U solla shumë mirë, se kjo ishte pikërisht ajo që po prisja. Të njëjtën gjë bëra edhe me djalin e xhajes së Astritit dhe me djalin e tezes së tij. Për shumë pak kohë, unë infektova të gjithë meshkujt e mundshëm që kishin lidhje gjaku të afërta më Astritin.
Më pas, me klientët e tjerë, që nuk kishin lidhje me inatin tim, tregohesha e kujdesshme për dy vjet, derisa një ditë i tregova pronarit se ç’kisha bërë dhe arsyen pse e kisha bërë. Ai ishte shok i tyre, ndaj ishin i njëjti lloj ndryrësie. Më rrahën aq keq sa kam ndenjur për dy javë në spital. Atje më dhanë lajmin që për mua nuk ishte i ri, se isha e infektuar me SIDA. Tani jetoj pranë spitalit ku u diagnostikova sepse vazhdoj të marr ilaçet. Me prindërit kam folur vetëm një herë në telefon pas katër vitesh që vëllai im kishte vdekur.
– Ju mora vetëm që t’ju them se e kam marrë hakun e vëllait. Ata të katërt do të vdesin shumë shpejt, kanë tre vjet e gjysëm që janë të sëmurë, por nuk e dinë dhe të gjithë do të mbeten pa pasardhës se kushdo që të lindë tani, do të jetë i infektuar. Mos prisni më as telefonata nga unë. Nuk dua t’ju shkatërroj më shumë nga ç’ju kam shkatërruar.
Kjo ishte hera e fundit që i dëgjova zërin babait tim. Jetoj vetëm, duke pritur me padurim të bashkohem me vëllain tim që vdiq aq pafajësisht, aq i ri, vetëm për të vënë në vend nderin tim. Ai vuri në vend nderim tim sepse vrau Astritin, ndërsa unë do të vdes e qetë sepse i vrava të gjithë. H.