Dhe shumë pak vite do të duheshin që të mbyllej dhe shekulli i XX-të, ku për herë të parë në histori muaji mars i vitit 1997-të në vend që të përgatiste pranverën shqiptare përgatiste festivalin funebër të luftës civile, e cila e kishte ndezur fitilin e fuçisë së barotit duke pritur shpërthimin e tij.
Në analizën e këtij fenomeni natyrisht që si shkak u përdorën firmat piramidale, të cilat ishin ngritur nga shteti i asaj kohe, por që në krye të tyre, pikërisht për të mbuluar banditizmin shtetëror, qëndronin disa kapterë ushtrie disa të vetemëruar gjeneralë dhe një fukareshë me ngjyrë, e cila si për çudi në bashkëpunim me “kompetentin” na ishte bërë një zonjë e madhe aq sa dhe vetë asaj i dukej një çudi e madhe.
Nëse problemi do të shikohej thjesht te “Piramidat”dhe i shkëputur nga politika “makartiste” e Berishës dhe gjithë bastardëve të tjerë do të ishte një empirizëm foshnjarak. Jo absolutisht që nuk është ashtu, sikurse nuk është as hipokrizia e “ rrezikut komunist të jugut” që krye “Neroni” i të gjithë kohërave Sali Berisha që e përdori me efikasitet të madh për të trembur Europën madje dhe Amerikën, hipokrizi kjo edhe pse nuk ishte reale, ai në një farë mënyre ja arriti qëllimit.
Por e keqja e bastardëve nuk qëndron thjeshtë te karakteri individual i tyre, por te politika e egër e tipit fashist, të cilët ata e vunë në zbatim. Vitet 90-92 u karakterizuan nga një egërsi e pashembullt jo vetëm në shkatërrimin ekonomiko – social të Shqipërisë, por dhe të të gjithë vlerave të mëdha të popullit tonë. Thirrjet histerike kundër komunistëve, të cilët na e paskëshin vendin në litar dhe pensionistët që duheshin copëtuar me hanxhar, ishin nga më monstruozet aq sa dhe vetë Hitleri i dikurshëm, madje për kohët moderne dhe diktatorët kilianë e dominikanë do të kishin zili, zili kjo, jo vetëm për nga forma, por dhe nga përmbajtja dhe shpejtësia me të cilat skuadronet e 24/1 (ligjit lustracion) i aplikuan me shpejtësi të habitshme.
Këto thirrje të shoqëruara me aktet e një vandalizmi të theksuar dhe me një propagandë të madhe shënonin hapin e parë të një regjimi tipik fashist pa as më të voglin dyshim. Me mijëra ishin ata që u pushuan nga puna me dhjetëra mijëra ishin ata që morën arratinë, e me qindra mijëra ishin fletët e votimeve që mbusheshin në mes të ditës nga banditët pa helmeta, por që qarkullonin të armatosur. Frika, pasiguria, terrori i ushtruar, vjedhja shoqëruar kjo me tam-tame të mëdha bëri që të drithërohej dhe vetë monumenti “Nënë Shqipëri”, teksa dëshmorët rënë për Atdhe, kacafyteshin përsëri për herë të dytë me bashkëpunëtorët e armikut dhe formacionet tashmë të riorganizuara të tij, të cilët mbas një pushimi gjysmë shekullor ishin ringjallur ashtu sikurse të krishterët ringjallin Krishtin.
Po kush i ringjalli ata, mos vallë historia? Jo aspak, ata nuk i ringjalli ajo, sepse historia ata i kishte damkosur përjetësisht me vulën e tradhtisë në jetë të jetëve, madje ishin vetë ata ballisto-zogistët që kishin damkosur vetveten teksa historia vetëm sa shkruajti me të zezë bëmat e tyre dhe me të kuqe heroizmin partizan, paçka se tashmë i gjithë llumi reaksionar në kombinacion me tradhtinë e degjeneruar “post ramiziane” kishte marrë revanshin.
Të gjitha këto në kompleksitet madje dhe shumë e shumë të tjera, të shoqëruara me një papunësi të madhe, me një rënie drastike të ekonomisë, me shkatërrim të ushtrisë dhe kthimin e shtetit në një organizëm gjigant policor, përgatitën kushtet e një krize tejet të ashpër duke acaruar në maksimum kontradiktat brenda për brenda shoqërisë shqiptare. Firmat piramidale ishin maja e dukshme e “icebergut”(ajsbergut) teksa pjesa e nënujshme ishin pikërisht ato që përmendëm më sipër, më fatalja për popullin tonë dhe që sado vite që të kalojnë nuk kanë për t’u fshirë nga kujtesa jonë kombëtare.
Rënien e firmave piramidale në Marsin e vitit 1997, paranojaku narcist, me sëmundje të dukshme psiqike, mundohet ta argumentojë me rebelimin komunist të jugut dhe me këtë rast ai përgatiti terrenin e mobilizimit të përgjithshëm ushtarak duke shpallur dhe gjendjen e jashtëzakonshme.
Shpallja e gjendjes së j/zakonshme u shoqërua me një akt tjetër paradoksal duke vendosur ministrin e Mbrojtjes nën urdhërat e shefit të shërbimit sekret Gazidede. Po cilët rekrutoi Berisha? Ekzistojnë dokumente ku pikërisht ai kërkon mobilizim të tillë prej Shqipërisë së Mesme deri në Veri të saj.
Djallëzia dhe poshtërsia e këtij njeriu arrin deri në atë pikë, sa që jo vetëm të na ndante artificialisht shqiptarët e veriut me ata të jugut, por ta paraqiste konfliktin sikur të ishte midis Veriut që “kërkon demokraci” dhe jugut “i cili aspiron ende per komunizëm” dhe jo si një konflikt midis popullit nga njëra anë që vuante ekonomikisht dhe shpirtërisht dhe kastës neofashiste, e cila me anë të dhunës së pashembullt sundonte mbi kurrizin e shqiptarëve nga ana tjetër.
Aq i pashpirt u tregua ky njeri i cili kërkonte ta ngrinte lumturinë e tij e të familjes së tij, si dhe gjithë kastës së degjeneruar sa që dhe vëllezërit tanë veriorë kërkonte t’i sakrifikonte për interesa të tij. Çuditërisht, Çopanër, Koçekëre, Kollçakër, Agim Shehër, Mulosmanaj iu sulën Vlorës sikur të mos ishin shqiptarë, madje pati dhe drejtues të Flotës tonë luftarake, të cilët merrnin përsipër bombardimin e porteve të Vlorës apo të Sarandës nga deti, pa folur këtu për urdhërat e hapur për përdorimin e lëndëve helmuese dhe bombardimin nga ajri me anë të aviacionit.
Lufta e vëllavrasëse e ndezur prej partisë fashiste e maskuar kjo me siglën “demokratike” tregoi qartë egërsinë e kapitalizmit shqiptar dhe pasojat e tij. U vranë në Vlorë disa anëtarë të shërbimit sekret u vranë dhe policë sikur u vranë dhe protestues, u vranë dhe disa mercenarë që nuk dinin as armët t’i hidhnin në krah, por që Sala i pati dërguar me mision për të shtypur rebelimin komunist të jugut. U vra ndonjë hierark i lartë i oborrit të tij mbretëror? Jo askush, përjashto këtu Tritan Shehun, i cili përjetoi ca çaste të trishta e të dhimbshme në një stadium të Lushnjës.
Po kush ishin ata që u vranë?! Sigurisht ishim ne. Ishim ne bij të popullit, bijtë e këtij shekulli të ri që po afrohej të cilët u ndërsyem me njëri-tjetrin për këtë palo katil dhe shpurën e tij vrastare, i cili jo vetëm që e çoi popullin shqiptar në pragluftën civile dhe kacafytjen me njëri-tjetrin si në komunitetin primitiv midis fiseve por ai përgatiti dhe çoi Shqipërinë dhe në prag të copëtimit si shtet.
Veprimet e tij anti kombëtare qëndrojnë pikërisht te fakti se ai si një agjent i vjetër i UDB-së përherë u ka ardhur në ndihmë qarqeve reaksionar greke e sidomos atyre serbe. Vitet 90-të e më mbas, që përkonin me luftrat e Kroacisë, Sllovenisë e më vonë të Bosnjës për independencë doemos do përshpejtonin dhe çlirimin e Kosovës. Por agjenti i tyre i vjetër krijonte trazira brenda për brenda Shqipërisë duke e penguar çështjen e Pavarësisë së Kosovës.
Kështu veproi ai më 1992 kështu më 1997 po kështu dhe më 1999 ku i akuzonte formacionet tona të UÇK-së si enveriste. Në gjithë historinë e kombit shqiptar ky njeri që Europa dhe Amerika na e deleguan si një mallkim, për hakmarrje e për inat të socializmit të ndërtuar prej popullit dhe Enver Hoxhës në Shqipëri si të jetë gjallë, por dhe mbas vdekjes së tij do të ngelet “Doktor vdekja”. Vrop e deshi ndaj ajo e shpëtoi më 1997 deshi ndaj dhe në grushtin e shtetit më 1998 përsëri e shpëtoi, por më shumë deshi vetë PS-ja i dha dorën duke pranuar planin e tij djallëzor për “Qeverinë e pajtimit Kombëtar”.
Po ne shqiptarët të pajtuar ishim e jemi, vëllezër me njëri-tjetrin, që nga veriu e deri në jug. Po kush do pajtohej? Ahaaa… tash e kuptova, duhej pajtuar Saliu i zemëruar me Jugun e Shqipërisë (për analogji dhe me Veriun sepse ne kemi qenë e ngelmi jug-veri një e të pandarë ). Tani le ta mbajë me shëndet Europa Amerika madje dhe vetë PS-ja! Po qe se rizgjidhet deputet atëherë le ta marrë dhe Amerika sepse ia vlen dhe për atje president!