“Duhet të vendosim tarifa 100% për Tesla. Duhet të jemi të saktë, kirurgjikë dhe të identifikojmë ata që mbështesin Trump, duke i bërë të paguajnë një çmim për sulmin ndaj Kanadasë.” Kështu u shpreh Chrystia Freeland, ish-aleate e kryeministrit Justin Trudeau dhe një nga kandidatët për ta pasuar atë, duke reflektuar reagimin global ndaj tarifave të vendosura nga administrata amerikane. “Wall Street Journal” i ka quajtur këto tarifa “lufta tregtare më e pakuptimtë në histori”.
Mbrëmjen e djeshme, Shtëpia e Bardhë njoftoi tarifa prej 25% për të gjitha produktet e importuara nga Meksika dhe Kanadaja, me përjashtim të naftës, e cila do të tatohet me 10%, duke shkelur kështu marrëveshjen e tregtisë së lirë USMCA. Një tarifë prej 10% është vendosur edhe për të gjitha eksportet kineze.
Përballë kësaj situate, vendet e prekura po përgatiten për kundërpërgjigje, duke shpresuar të kufizojnë dëmet dhe të bindin Trump se tarifat nuk janë një ide e mirë, as për SHBA-të. Këto masa kërcënojnë tregtinë globale në vlerë mbi 2.100 miliardë dollarë në vit – më shumë se e gjithë PBB-ja e Italisë.
Kanadaja ka hartuar një listë produktesh amerikane për t’u penalizuar me tarifa hakmarrëse, duke përfshirë lëngun e portokallit dhe agrumet nga Florida, shteti republikan ku Trump ka rezidencën, si dhe pije alkoolike e produkte të tjera nga rajone kyçe për sukseset e tij elektorale. Mbetet për t’u parë nëse Trudeau do të ndjekë këshillën e ish-ministres së tij të Financave për të goditur “mikun e parë” të presidentit. Në Kanada, tregu i makinave elektrike është më i madh se ai amerikan (17% e totalit kundrejt 8%), dhe Tesla dominon me të paktën 60,000 makina të shitura në 2023. Duke marrë parasysh se këtë vit kompania e Musk ka parë një rënie të shitjeve, ndikimi do të ishte i ndjeshëm.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka zgjedhur të presë me qetësi, duke paralajmëruar një përgjigje pa e detajuar atë. Nga ana tjetër, Kina ka reaguar ashpër përmes ambasadës së saj në Uashington se “i kundërshton fuqimisht” tarifat, pasi “nuk ka kurrë fitues në luftërat tregtare, të cilat nuk i shërbejnë interesave të askujt, as botës.” Pekini, megjithëse ka marrë një tarifë më të ulët prej 10%, mbetet ende i ekspozuar ndaj tarifave të mbetura nga mandati i parë i Trump dhe ka mundësi për kundërmasa të forta. Nafta është përjashtuar nga tarifat më të larta, pasi kjo do të dëmtonte edhe SHBA-të duke rritur inflacionin.
Kritikat nuk vijnë vetëm nga jashtë. Edhe brenda SHBA-ve ka një rezistencë të fortë, siç ka treguar editoriali i “The Wall Street Journal,” i cili e titullon artikullin e tij: “Trump do të vendosë tarifa pa asnjë arsye të mirë”. Gjyqi i gazetës financiare është shumë i ashpër: “Duke lënë mënjanë Kinën, justifikimi i Trump për këtë sulm ekonomik ndaj fqinjëve është i pakuptimtë. Droga ka hyrë në SHBA për dekada dhe do të vazhdojë të hyjë për sa kohë që amerikanët e përdorin. Asnjë nga dy vendet nuk mund ta ndalojë këtë fenomen. Droga mund të jetë thjesht një pretekst, sepse Trump e ka bërë të qartë se i pëlqejnë tarifat për hir të vetvetes.”
Më tej, gazeta shton: “Ndonjëherë ai jep përshtypjen se Amerika mund të funksionojë si një ekonomi plotësisht e mbyllur, ku çdo gjë prodhohet brenda. Kjo quhet autarki dhe nuk është bota në të cilën jetojmë – apo ajo ku duhet të dëshirojmë të jetojmë, siç mund ta zbulojë së shpejti Trump.”
Një shembull konkret është industria automobilistike amerikane, e cila në të vërtetë është një industri gjithë-amerikane, pasi zinxhirët e furnizimit të tre vendeve janë të integruar ngushtë. Në vitin 2024, Kanadaja ka furnizuar pothuajse 13% të importeve të SHBA-ve për pjesët e automjeteve, ndërsa Meksika 42%. Dhe të gjithë përfitojnë nga kjo marrëdhënie. Në vitin 2023, kjo industri i shtoi ekonomisë amerikane më shumë se 809 miliardë dollarë, rreth 11.2% të prodhimit të përgjithshëm industrial, duke mbështetur 9.7 milionë vende pune.
Është absurde të vihet në rrezik e gjithë kjo për një fiksim ideologjik: “Ndoshta Trump do të shpallë një fitore dhe do të tërhiqet, nëse arrin disa koncesione simbolike. Por nëse një luftë tregtare mes Amerikës së Veriut do të vazhdojë, ajo do të konsiderohej si një nga më të pakuptimtat në histori.”/ La Repubblica – Përktheu: Shqiptarja.com