Deputetja Mimoza Kusari-Lila, njëherit kryetare e Alternativa-s, thotë se të gjithë mysafirët u skuqën me gafat e shtetit që bën në Prizren.
“Sot në Prizren, në 140 vjetorin e lidhjes shqiptare, u shpërfaqen në mënyrën më brutale, shpërfilljet e Kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit para peshës së organizimit përmes dallimeve që i kanë me njëri tjetrin. Prej fillimit të organizimit, kur hapet njëra ceremoni nga Kuvendi e cila mbyllet nga Kryetari i Kuvendit dhe kur mysafirët ngriten të shkojnë, reagon kryeministri dhe na kërkon të ulemi se po fillon ceremonia tjetër e nisur nga qeveria, duke ia dhënë fjalën Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Ne mysafirët u skuqëm për organizatorët, por vetëm sikur kjo të ishte e tëra.
Pas Presidentit Meta, fjalën e mori një grua jashtë protokollit. Ajo fliste pa mikrofon të ndezur derisa u ngrit Kryeparlamentari dhe ia ndezi mikrofonin, për t’u përcjellë pak minuta pas nga Kryeministri i cili në rolin e truprojës e ngrehu zvarrë gruan nga podiumi. Kryeministri tregoi një aftësi të veçantë këtu, tregoi se ishte më i përgaditur se truprojat e tij”, shkruan Kusari-Lila në Facebook.
Për rastin në fjalë ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i cili sjelljen e Haradinajt e quant ë turpshme.
“Turpi institucional!!, sjellja e këtyre njerëzve të veshur me petkun e pushtetit është përdhosje dhe ofendimi më i madh për vendin dhe historikun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pa protokoll, pa rend e dije, me sjellje vullgare, çka mbetet me i thanë kësaj përbërje qeveritare. Qytetarët nuk meritojnë këtë nënshtrim të ulët”, shkruan Zemaj në Facebook.
Për rastin në fjalë kanë reguar edhe ish-deputet e njohës të rrethanave politike duke e quajtur të turpshme sjelljen e kryeministrit dhe mënyrën si u organizua e ashtuquajtura seanca solemne.
Kujtojmë se sot u vu edhe gurthemeli i shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit.