Sali Berisha thotë se Lulzim Basha ka dosje të hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dosjen “Nick Muzin” të parave ruse.
Në një prononcim për gazetarët nga oborri i Parlamentit, Berisha u shpreh se Basha u nis drejt SHBA-së dhe u kthye pas në Shqipëri pasi nuk shkon dot në Amerikë.
Dhe sipas Berishës, arsyeja është dosja e hapur hetimore për paratë e rusëve.
Sali Berisha deklaroi gjithashtu se pas Kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të qeverisë, Lulzim Basha është personi i radhës që duhet të hetohet për afera konkrete.
“Personi i vetëm që është në përballje me drejtësinë ndërkombëtare por dhe shqiptare është Lulzim Basha. Prandaj kur të dalë para jush e pyesni për çfarë arsye u ktheve nga Roma në Tiranë dhe nuk shkove dot në SHBA? Që të bëjë transparencë. E ka të hapur dosjen Muzin.
Nëse shkonte përballej me ligjin, kjo ndodhte. Dhe ndaj u kthye. Ju, kur të dalin politikanë para jush, duhet t’i pyesni kur keni fakte konkrete nuk duhet të hezitoni. Kur u nis me Gjekmarkajn në Uashington.
Gjekmarkaj do shkojë, ai u kthye. Duhet t’i pyesni, pse Edi Rama të mbylli dosjen e rusëve? Në qoftë se ka një njeri që për afera konkrete duhet të pyetet pas Edi Ramës dhe ministrave të tij, është pikërisht Lulzim Basha.
Merrni listën që ka dorëzuar në Prokurori nga diaspora sikur kanë dhënë nga 10 mijë Dollarë dhe në qoftë se del njëri prej tyre që fakton se ja ka dhënë. Mua më kanë rrëfyer dhjetra e dhjetra që ne kemi gënjyer se na kërkoi.
Faktet prokuroria i disponon të gjitha, por mund të them se ditën e enjtes pas emisionit Opinion kur Edi Rama desh ja mbathi si i tromaksuar kur i doli në led çështja e inceneratorëve por pas këtij emisioni ai deklaroi që unë i kam mbyllur dosjen ruse. Ajo që në atë kohë unë e mohoja se është ruse, por sipas Edi Ramës dhe të dhënave të tjera, ajo është ruse. Ka procesin me FBI, ka procese me drejtësinë belge në mos ndërhyn dhe ndonjë drejtësi tjetër pastaj”.
I pyetur nga gazetarët nëse i frikësohet SPAK, Berisha u shpreh: “Absolutisht dhe asgjëje mbi tokë nuk i druhem unë, sepse unë kam kodin tim të pathyeshëm”.