Nga Anri Bala
Të gjithë po “ikin”… por largohen me thesin e parave në kurriz, e ne nuk na mbetet asgjë tjetër të tërheqim deri në varr thesin e gënjeshtrave, që na e kanë lënë peshqesh tufa e maskarenjve, qysh prej ngjizjes së politikës kurvë… e ne gënjehemi sërish, se pas këtyre do vijnë disa të tjerë, më të mirë, por në fund, nuk janë veçse disa “udhëheqës” dallaverash, prijës imagjinarë, njësoj si premtimet e tyre.
Vodhi prokurori… iku!
Vodhi gjyqtari… iku!
Vodhi drejtori… iku!
Vodhi ministri… iku!
Vodhi kryebashkiaku… iku!
Vodhi kryeministri… iku!
A ka ndonjë që do të qëndrojë… në burg në këtë vend?!
Deri më sot, asnjë kriminel, hajdut, vrasës, porositës apo hjekës nuk po përfundon në burg… sepse tufa e maskarenjve të shantazhuar nga krimet e tyre, ku të gjithë kjo kategori “VIP”-ash bëjnë pjesë, kur ndihen të kërcënuar, janë më të bashkuar se kurrë. Atëherë kur rrezikojnë burgun, të gjithë bëhen bashkë, si “macja që fle me miun” dhe ne na mbushin me një thes me gënjeshtra, si kjo “lufta e Bashës që përzuri Saliun”. A mund të përgjigjet dikush, se si mundet “hjeksi të shantazhojë porositësin e krimit”? Unë mendoj vetëm duke e kërcënuar, se do të tregojë… por duke bërë paqe me veten e tij, se burg njësoj do bëj dhe ai!
Atëherë, si ka mundësi që Saliu ndjehet i kërcënuar nga Luli, ku njëri ka qenë porositësi e tjetri hjeksi? Ndoshta… që ne të shkretët të kënaqemi, e të themi: Hallall ato pare e viktima, por më në fund e hoqëm qafe…! E mundëm, e turpëruam, e larguam nga parlamenti, me një mal me lekë dhe disa viktima në kurriz.
Të mjerët ne!
Po Ilir Meta që sapo i “puthi” dorën qeverisë, sepse edhe ai rrezikon të heq dorë ndaj lirisë. A nuk e patë Ilirin, se si e përshëndeti zgjedhjen e Kryetares së re të Kuvendit, a thua se e kishte nxjerrë nga radhët e partisë së tij? Nuk duhet harruar ajo, që ka deklaruar disa herë Rama se: “President më të mirë se Ilir Meta nuk kemi pasur ndonjëherë!” E unë paskam qenë vërtet idiot… nuk doja ta besoja!
A e dini pse Iliri u kthye në një president për ta pasur zili?! Sepse edhe Ilir Meta është në zgrip dhe si qytetar “non grata” që është, edhe ai si “pika e tij e dobët” po përgatitet për të ikur… me thesin e parave në kurriz, kurse ne do mbajmë mbi shpinë thesin e gënjeshtrave, e disa të tjerë më fatkeq se ne, thesin e viktimave, si dhuratë prej tij!
Ashtu do iki Iliri… një herë si tradhëtarë, një herë si aleat besnik… një herë si shkak pasojë e 4 viktimave të 21 Janarit, një herë si burrë shteti… një herë si Presidenti më i mirë qe ka pasur ky vend, një herë si Presidenti që na turpëroi këtë vend… në sy të botës.
Koherenca e politikanëve tanë, është në sintoni perfekte me pushtllikun që i karakterizon dhe nevojave të tyre.
Nëse ky vend ka banda, patjetër që ajo më e sofistikuara dhe jetëgjata është ajo e grupimeve të “Bandave Politike”, që kanë të paktën 30 vite që drejtojnë këtë vend, e sot, pasi vranë, dogjën, plaçkitën, mundohen të na mbushin mendjen se po largohen… ama po largohen me turp! Nuk di, të qesh apo të qaj?! Kam një pështjellim emocionesh, që nuk i shpjegoj dot!
Kështu iku dhe Xhuxhi i Durrësit, Vangjush Dako, u largua në drejtim “të paditur”… me pushime, fill pasi qyteti që ai menaxhoi më shumë se 12 vite u fundos nën këmbët e tij. Por mësimin që i dha natyra Durrësit, u bë pësim vetëm për ato dhjetra viktima, nëna, fëmijë, djem të rinj, familje të tëra… ata ishin viktimat e makutërisë.
A di të më thotë dikush, a u dënua njeri për krimet në Durrës…? A di të më thotë njeri, a u dënua njeri për shpërfytyrimin e qytetit antik të pudrosur me beton, duke mbuluar çdo krim, sikur pluhuri poshtë tapetit?! Natyrisht që jo! Ata të gjithë ikën!
Mirëpo natyra, nuk është aq bujare sa i shkreti njeri, ajo nuk të shtrinë dorën për një vend pune dhe as për një 10 mijëshe kur afrohen zgjedhjet… natyra nuk bindet prej fjalimeve të bukura për begati dhe prosperitet… natyra nuk gënjehet me makiazhe në fytyrë e shpirtin zgjyrë… natyra nuk gënjehet me sherre banale midis një tufe maskarenjsh, kinse të sajuara rëndom në kafen e Kuvendit, për të shpëtuar thesin e parave të hajdutëve dhe kriminelëve të këtij vendi…
Të gjithë këta, të bashkuar me një qëllim… vetëm për të “ikur”! Çfarë nuk do sajojnë, sepse nocioni i turpit ngelet midis ne “budallenjve”, që s’dimë të vjedhim, por thërrasin me zë të lartë: Iku me turp! Sa për informacion dhe për të shkrehur sado pak moralistët… hajduti nuk ka turp!
Të isha hajdut, do pritesha me brohorima, lule, puthje duarsh e sysh… do më dukej vetja si perandor, i një perandorie krriçash, që sado i plaçkis, i rropas, u telendis xhepa e prona, u heq të drejtën e fjalës e lirinë… prapë më duan. Ama kemi evoluar, nga Republikë Bananesh në Republikën e Sindromës së Stokholmit dhe pas një rrugëtimi të gjatë tek kjo e fundit, më e mira… Republika e Gënjeshtrave, ku ish-udhëheqësit “dënohen”… të ikin me thesin e parave mbi shpinë!
Ndërsa, ne të tjerëve që nuk vodhëm, të shkretët ne, edhe ne do ikim… në rastin më të mirë jashtë vendit, për të fituar bukën e gojës, ndërsa në rastin më të keq… nga mendje e kokës, se si nuk u treguam pak hajdut, që kryehajduti të mos dukej aq madhështor sa një perandor!/Ekskluzive.al