Nga Luan Banushi
Sot dëshiroj të flas pak për dallimet ndërmjet femrës dhe mashkullit, – nisi bisedën miku im, – dallime që ndikojnë dukshëm në qasjen e tyre ndaj fenomenit dashuri. Siç mund të pritet, ne këtu nuk mund ta dimë se si dashuron femra (ndonëse, në letërsi, më së shumti, janë meshkujt që përshkruajnë dashurinë e një femre), por ama jemi në gjendje të vëmë në dukje disa veçori tepër të qenësishme ndërmjet sekseve që bëjnë të qartë dallimin e fortë ndërmjet tyre në këtë aspekt.
Koncepti im është se ndjenja e dashurisë përcaktohet, sado e çuditshme t’ju duket, nga ndërtimi anatomik i sekseve. “Fillimisht”, – thotë Platoni, – “krijesat njerëzore në lashtësi ishin të rrumbullakëta…, Zeusi i shqetësuar nga agresiviteti i tyre i çau më dysh… Mirëpo ato të shkëputura kërkonin njëra tjetrën me dëshirë tepër të zjarrtë dhe të paafta për t’u ndarë nga përqafimi, zhdukeshin. Atëherë, Zeusi i përdëllyer, e zbuti dënimin, i përshtati të dy sekset për të qenë të afta për riprodhim, …që nga ajo kohë e lashtë lindi nevoja jetësore e njerëzimit, që sekush të kërkonte gjysmën e vet për të rindërtuar përsosjen antike”.
Zoti (natyra), për të arritur qëllimin e vet, gjenerimin e species, ka bërë që njeriu të ndjejë kënaqësinë më të madhe fizike tek akti i shumimit, tek akti seksual. Madje edhe dashurinë seksuale e ka krijuar për këtë qëllim, që të çojë tek seksi, pa seks nuk ka dashuri. Por ka bërë një dallim të qartë ndërmjet sekseve. “Burri mund të krijojë më tepër se njëqind fëmijë në vit fare pa vështirësi, nëse ka në dispozicion të vet po aq gra, ndërsa gruaja, edhe po me kaq burra, mund të lindë vetëm një fëmijë në vit (duke përjashtuar lindjen e binjakëve)”, thotë Shopenhaueri.
Shihet qartë se detyra për gjenerimin e species i është ngarkuar kryesisht femrës, femra është e domosdoshme, ndërsa mashkulli i nevojshëm. Prandaj edhe ndërtimi anatomik i të dy sekseve është bërë që t’i përshtatet pikërisht kësaj ndarje detyrash, në mund ta quajmë kështu.
Meqë femra është e domosdoshme, organi i saj gjenital është ndërtuar të jetë i sigurt, pra, në çdo kohë që të kryhet marrëdhënia seksuale, me apo pa dëshirën e saj, të arrihet qëllimi, femra të mbetet shtatzanë. Shkaqet për të bërë seks një femër mund të jenë: kur dashuron një mashkull, kur e do, për tërheqje seksuale, për interes, e detyruar, për profesion, etj, pra, për çdo shkak.
Mashkulli është i nevojshëm për shumë femra, mirëpo organi gjenital i tij nuk funksionon në gjendje qetësie, për pasojë mashkullit natyra i ka dhënë fuqinë dhe kënaqësinë për të arritur sigurinë, sigurinë që të kryhet marrëdhënia seksuale. Shkaqet për të bërë seks një mashkull mund të jenë: kur e dashuron një femër, kur e do, për epsh (tërheqje seksuale), për zbrazje (kur shkojnë në shtëpi publike), shumë rrallë për interes, sepse interesi nuk e shpie organin e tij në ejkulacion, ndërsa kurrë për profesion apo nga detyrimi.
Nisur nga ndërtimi anatomik i të dy sekseve, duket qartë se natyrës nuk i intereson dhe aq kënaqësia seksuale e femrës sesa siguria e aktit, ndërsa kujdeset posaçërisht për kënaqësinë seksuale të mashkullit, aq sa organin seksual të tij e ka bërë që të funksionojë vetëm nëpërmjet kënaqësisë. Kur dashuron, mashkulli është i sigurt për arritjen e aktit seksual, ndërsa femra e merr për të sigurt. Nëse mashkulli nuk është i aftë seksualisht, dashuria e femrës për të merr fund, nëse ka nisur. Për pasojë mund të themi se mashkulli dashuron më fort se femra, është më idealist në dashuri, më ëndërrimtar, femra është më pragmatiste, më tokësore, më realiste, më materialiste, por dashuria e mashkullit është më jetëshkurtër.
Siç është e kuptueshme, këto dallime në ndërtimin anatomik të sekseve bëjnë që edhe dukuri të tjera, si bie fjala tradhtia, të mos jenë njëlloj për femrën si për mashkullin, por për këtë do të flasim një herë tjetër, – përfundoi bisedën miku im./Ekskluzive.al