Nga Anri Bala
Nuk do të vija bast, por besoj se mund të klasifikohemi si vendi i parë i çudirave në glob, në të cilin, brenda një kohe të shkurtër, ti shikon të ndodh gjithçka, e pas saj… menjëherë s’ndodh asgjë. Për t’i u ardhur në ndihmë, e për të mos u dukur sikur edhe unë po deliroj, sepse ju s’më keni asnjë faj, i referohem rastit, kur mediat sot po shkruajnë me ngazëllimin e fituesit të dhjerë por me lavdi, se ish-kryeprokurori Llalla u largua me turp nga drejtësia, nga frika se organi i vetingut do të zbulonte milionat e fituara, duke u bërë qoka pushtetarëve, e mbyllur dosje kriminale dhe pazare me jetë njerëzish e familjesh të tëra… jo shaka.
Por ama, në fund e larguam të “turpëruar”, ashtu siç e meritonte… me “bishtin ndër shalë” në Gjermani, për t’iu bashkuar familjes së tij, së bashku me miliona euro të fituara me “mund”, në tregun e zi të (pa)drejtësisë. “Turp” më të madh për të nuk ka! E shkatërruam qerratain, e turpëruam deri në vdekje, e cila edhe kur t’i vijë, nuk do mund t’ia merrte të gjithë pasurinë e mbledhur deri më sot, edhe sikur Tiku mos të punojë asnjë ditë.
Të njëjtin fat patën edhe 740 milionë dollarët e privatizimit me vite të kompanisë “ARMO”, ku një pjesë e mirë e milionave të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, duhet të ishin në buxhetin e shtetit dhe jo në disa kompani “fantazma” në ishujt e parajsave fiskale jashtë vendit. Por ama, të gjithë privatizuesit, apo përfituesit e skemës së kompanisë “Mon Kukaleshi” sh.a me ndihmën e “qeveriut”, u larguan të dhjerë edhe të turpëruar, e këtë ata mund ta pranojnë me plotë gojë se ua “bëmë” nënën! Fund më të “tmerrshëm” për ta s’mund të kishte! Ua “çorrëm” maskën hajdutëve, por ama askush nuk ktheu asnjë kacidhe, e për ta shlyer detyrimin si të burgosur… as mos e çoni nëpërmend!
Në sinkron me këtë vjedhje, më e madhja pas skemës së mashtrimit të firmave piramidale, që provokoi mijëra viktima në vitin e mbrapshtë 1997, është skandali “CEZ-DIA”, që i kushtoi shtetit shqiptarë një dëm ekonomik prej 414 milion euro, ku një prej të akuzuarve kryesor të kësaj megaafere është dënuar me 11 vite burg për vjedhje me anë të mashtrimit në bashkëpunim, por që bashkëpuntorët e tij nuk shihen gjëkundi, as në sallën e gjyqit, as për t’i bërë “shoqëri” të dënuarit Kastriot Ismailaj.
Qysh pas burgosjes së Ismailaj, të gjithë bashkëpuntorët apo të akuzuarit kryesor për këtë megavjedhje, u zbythën: Dikush shkoi të bëj këmboraxhiun duke varur medalje, dikush qytetarin dixhital, ndërsa i biri i qytetarit dixhital u “këput duke harxhuar miliona e falur” çdo vit në pushime me të dashurën.
E për në fund, por jo për nga rëndësia është ai, i vetmi i pakrahasueshmi Lylja e kopshtit tim, i cili u akuzua përsëri tani, mbas dhjetëra zullumesh dhe krimesh të pagjykuara e të pahetuara, por të provuara me dokumenta, se ka paguar 1 milion dollarë pa adresë burimi dhe me destinacion pagimi tek një kompani lobimi e dyshimtë dhe në hetim në Amerikë, për të rregulluar sadopak imazhin e tij dhe sharë Shqipërinë. Askujt nuk i ndihet zëri, as Arta Markut, duke e dërguar sërish shqyrtimin e këtij rasti në kalendat greke, e duke na trembur, se po kthehemi sërish aty ku ishim… me Llallën pa Llallën!
Çdo ditë e më shumë, për ato që e kanë harruar, çudia më e madhe zgjat tre ditë, mirëpo këtu nuk zgjat as tre orë, aq sa u duhen palëve: hajdutit, policit dhe akuzuesit, të i’a thonë gjërat “troç” njëri tjetrit, në FB për t’iu a hedhur qytetarëve si ushqim. Të shkretët qytetarë, sa shpejt trullosen, gënjehen e ngrefosen, për të bërë mbrojtësin apo sulmuesin për palët, paçka se i kanë fëmijët pa bukë në shtëpi! Ndaj, degradim i harresës së krimit të pandëshkuar duhet të ndal!
Shqiptarët halle shumë, tregohen moskokëçarës sepse janë në “maratonë” të përditshme për të fituar bukën e gojës, por mos të harrojnë, se buka e gojës sot mungon nga ata të pushtetshmit e këtij vendi, që e vodhën, grabitën dhe e shkelën me këmbë para syve të tyre, para mjerimit Migjenian. Sot më shumë se kurrë nuk duhet të harrojmë imazhin e këtyre lloj grabitqarësh, që nesër të mos përsëritet më dhe të mbetet një kujtim i hidhur. Arta Marku zgjohu, sinqerisht, seriozisht dhe jo politikisht!/TNA.al