Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion thotë se ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj mori 491 mijë euro dhe një vilë ryshfet për të ndihmuar Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton që të shtinin në dorë koncesionet e tre inceneratorëve. Por SPAK nuk ngre asnjë akuzë për shpërdorim detyre ndaj ish ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Neni 244 i Kodit Penal e përkufizon veprën e korrupsionit pasiv si “Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt…., nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij ….”
Kjo ngre pyetjen, cilin veprim kreu ose nuk kreu ish ministri i Financave në këmbim të ryshfetit? Dosja hetimore nuk e thotë këtë. Në vend të kësaj, prokurorët thonë se Ahmetaj ka shprehur indirekt interes në zyrat apo kafet e shtetit që koncesionet e inceneratorëve të miratoheshin. Kjo ngre një pyetje të dytë, ndoshta më thelbësore se e para.
Nëse ky duke shprehur interes indirekt mori 491 mijë euro dhe një vilë, po zyrtarët që kanë kryer veprime direkte, kanë hedhur firma dhe kanë iniciuar procedura për të miratuar kontratat koncesionare, sa ryshfet kanë marrë?
Për shembull, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë ka marrë apo jo rryshfet, kur kaloi në qeveri VKM-në e paligjshme të procedurës me negocim të drejtëpërdrejtë për Elbasanin, edhe pse kishte marrë refuzim të prerë nga APP? Ky ka vepruar direkt në shkelje të ligjit, nuk ka shprehur interes indirekt.
Po kabineti qeveritar, që miratoi vendimin, sa rryshfet mori? Edhe këta kanë vepruar direkt, nuk janë interesuar indirekt. Po për kalimin e 17 akteve ligjore në një ditë sa rryshfet u dhanë. Kush ishte autoriteti që e kishte këtë fuqi?
Të gjitha këto mangësi në dosjen hetimore të inceneratorëve nuk janë të rastësishme. Ato burojnë nga një fakt i thjeshtë. Të paktën deri tani, SPAK nuk e ka hetuar fare pjesën proceduriale të inceneratorëve. Dhe hetimi procedurial i inceneratorëve bëhet vetëm me një pyetje të thjeshtë. Inceneratorët ishin tender apo koncesion?
Nëse SPAK ngre këtë pyetje, pjesa dërrmuese e elitës drejtuese të Rilindjes hyn në burg. Janë paguar 63 milionë euro para publike për koncesionarin e Tiranës, por incinerator nuk ka.
Për shkak se SPAK nuk e prek procedurën, hetimi për inceneratorët ka prodhuar një absurd unik. SPAK thotë se dy ministra kanë marrë ryshfet për inceneratorët, por nuk thotë që inceneratorët janë aferë korruptive. Madje, vetë kryeministri thotë se është krenar për ato vepra duke i cilësuar si një nga punët më të mira që është bërë ndonjëherë në Shqipëri.
Nëse inceneratorët nuk janë korrupsion, nga dolën paratë që morën ryshfet ministrat, sepse në një kontratë ligjore nuk teprojnë para për ryshfet? Ky është absurdi i madh ku ka rënë hetimi i inceneratorëve.