Një pjesë e emrave të ngelur në veting kanë nisur të shesin pronat. Dosjet e Prokurorisë së Posaçme për ish-gjyqtarët Bashkim Dedja, Shkëlzen Selimi dhe Fatos Lulo kanë hedhur dritë edhe mbi hetimet që po kryhen mbi persona të tjerë. Në total janë 10 ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese që po hetohen.
Por në dosjet e SPAK bëhet me dije se kanë lindur dyshime se disa po shesin pasuritë për të shmangur sekuestrimet dhe për të humbur gjurmët nëse nisin hetime.
SPAK në dosjen e saj shprehet se ka pasur dyshime të forta se Lulo, Dedja e Selimi mund të shisnin pronat prandaj u kërkua sekuestro preventive për ta, duke mos lejuar asnjë lloj tjetërsimi. SPAK ka treguar me fakte në dosjen kundër Selimit, pasi shprehet se babai i tij menjëherë pasi Lulo u shkarkua nga detyra, ka nisur të shesë prona. Ish-gjyqtari disa prona i ka pasur në bashkëpronësi dhe të babait, prandaj SPAK ka sekuestruar dhe disa prona të këtij të fundit.
Kjo për të ndalur shitjet e tyre. Sipas informacioneve, masa do të merren edhe ndaj 7 emrave të tjerë, pasi ka dyshime se edhe ata mund të shesin pronat që u kanë dalë të pajustifikuara. SPAK me anë të një kontabilisti po kontrollon me shumë detaje të gjitha deklarimet e pasurive të gjyqtarëve dhe atje ku ka probleme do të merren masa.
Mënyrat për të justifikuar paratë
Ajo që vihet re nga të dhënat e SPAK, por dhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit, të ngelurit në veting kanë nisur tratativat për të humbur gjurmët e pasurisë, kjo për të shmangur hetimet apo sekuestrimin e tyre. Lëvizja e parë është ajo e shitjes së pronave. Gazeta ka mësuar se ka dhe emra të tjerë që kanë shitur prona dhe për këtë arsye një pjesë e madhe e të ngelurve në veting po mbahen në monitorim. Në këtë proces nuk po angazhohet vetëm SPAK, por edhe prokuroritë e rretheve.
Një tjetër rrugë që po ndiqet për të justifikuar paratë është ajo e fushës së avokatisë. Shumë nga të ngelurit në veting apo të dorëhequrit kanë hapur zyra avokatie. Ka shumë nga ata që e shohin si strategji të tyre për të justifikuar pasurinë nëse një ditë hetohen nga prokuroria. Nëse shohim të dhënat e QKB, i pari që iu fut botës së avokatisë është Bashkim Dedja. Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese kaloi fazën e parë të vetingut, por ngeli në Apel për shkak të problemeve me pasurinë. Shtëpia në plazh, që ia sekuestroi dhe SPAK, i hapi shumë punë. Tjetër emër është ish-gjyqtari i Tiranës, Artan Lazaj.
Ai u shkarkua nga detyra në janar të vitit 2019 me vendim të formës së prerë nga KPA. Po ashtu në lista ka emra si: Adriatik Cama, Antoneta Sevdari, Rovena Gashi, Ramadan Troci, etj. Sipas të dhënave të QKB shumica e zyrave të avokatisë janë hapur gjatë viteve 2019 dhe 2020. Përveç emrave që janë shkarkuar nga vetingu, janë dhe 5 të tjerë që janë dorëhequr nga detyra dhe i janë futur fushës së avokatisë. Arjana Fullani, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë dhe bashkëshortja e Ardian Fullanit rezulton sipas QKB që ka hapur zyrë avokatie.
Ajo u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë dhe për pasojë i shpëtoi dhe vetingut. Një tjetër emër është Mirela Fana edhe kjo ish-anëtarë e Gjykatës së Lartë. Në QKB rezulton se ajo është bërë bashkëpronare në zyrën e avokatisë së bashkëshortit. Mes emrave është dhe ai i ish-kryeprokurorit të Tiranës Petrit Fusha. Edhe ai ka hapur zyrë avokatie.
Ja veprat penale që kanë kryer të shkarkuarit nga vetingu
1. Neni 257/a- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënim deri në 3 vite burg
2. Neni 190- Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve, dënim deri në 4 vite burg
3. Neni 186- Falsifikimi i dokumenteve, dënim deri në 3 vite burg
4. Neni 146- Mashtrimi në kredi, dënim deri në 7 vite burg/SOT