Nga Iris Luarasi
Sot më sollën një link në Whatsapp dhe aty lexova titullin surprizues “Nuk më del rroga e drejtorit të TVSH, OJQ-ja e Iris Luarasit, 300 mijë USD në vit nga USAID”. Artikulli ishte botuar nga një portal nën “kolonën e investigimeve”.
Si drejtore e Linjës së Këshillimit një nga detyrat e mia është të merrem me ngritjen e fondeve dhe një grant që nuk është i vogël, por plot 300 mijë USD paska hyrë në llogaritë e organizatës dhe unë s’e ditkam??
Në artikullin “investigues” thuhej se “Në vitin 2022, organizata që drejtoj mori një fond prej 50 mijë dollarësh nga USAID, dhe një vit më vonë edhe një fond tjetër, në shumën e 53 mijë euro”. Tërë kërshëri po shihja si do bëheshin 300 mijë.
Dhe Eureka!!!! “USAID-i lëvroi 278 mijë dollarë në favor të Qendrës së Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC)”, vazhdon “investigimi”. Dhe meqë GADC, (një organizatë tërësisht e pavarur) në faqen saj ka shkruar se është pjesë e Rrjetit Shqiptar Kundër Dhunës me Bazë Gjinore ku një nga 5 anëtarët është edhe Linja e Këshillimit, kjo na bënte ne pa asnjë provë përfituesen e pjesës më të madhe të grantit të fituar nga GADC.
Lidhja që bën artikullshkruesi për të arritur te shifra 300 mijë USD është:
50 mijë USD në 2022, 53 mije USD në 2023, dhe 197 mijë USD I bie që mi paska dhënë Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim. Domethënë GADC ka marrë 278 mijë dhe organizatës time i ka dhënë 197 mijë. Ha ha ha ha ha ha ha Lot…
Analizë e “investigimit”:
E para, dy fondet e cituara më sipër nuk janë fonde nga USAID, por nga Departamenti i Shtetit. Dhe “investiguesi” e ka shumë të qartë diferencën mes këtyre dy burimeve.
E dyta, nuk është e vërtetë që organizata që drejtoj ka marrë 200 mijë USD nga granti i dhënë nga USAID për GADC. E vërteta është që 0,00 USD kanë hyrë në llogaritë e organizatës që drejtoj nga ky fond. Dhe për këtë ka bilance dhe audite të dorëzuar në zyrat përkatëse.
E treta, rrjeti që i referohet “investiguesi” ka pushuar së ekzistuari në vitin 2014 dhe për këtë thjesht mund të bënte një konfirmim, sic duhej të ndodh me cdo shkrim investigues.
E katërta, të botosh pagat e hackeruara nuk është investigim, por shkelje e ligjit për mbrojtjen e të dhënave. Aq më shumë që artikullshkruesi e ka pagën më të madhe se unë në atë listë.
E pesta, e kuptoj shqetësimin e administratorit të Boldnews Leonard Bakillari për të bërë publike dhe transparante fondet e popullit amerikan duke harruar që në listat e pagave të USAID të vendosë edhe emrin e tij sepse është në fakt një njeri i paguar nga fonde të USAID, dhe në gjykimin tim kjo nuk është turp, përkundrazi. Por s’mund ta harronte këtë informacion në kuadër të transparencës.
E gjashta, Leonardi ka marrë një çmim për gazetarinë investigative të mbështetur financiarisht nga Fondacioni Soros në Shqipëri, dhe as kjo nuk e bën “armik të klasës”.
Dhe e fundit, për të bërë gazetari të përditshme dhe jo më investigative, duhen 2 deri në 3 burime. Këtë e mësojnë që në vit të parë studentët e gazetarisë. Kështu që herën tjetër taksirat e ke, të bësh një telefon dhe të pyesësh edhe palët e interesuara se ky është detyrim dhe jo dëshirë kur pretendon se po bën gazetari.
Ja kështu kështu, gjithë kërshëria për të kuptuar si kishin hyrë pa ditur 300 mijë USD nga USAID nuk mori përgjigje. Por artikullshkruesi mund të krenohet para atyre që e kanë paguar për “investigimin” se fantazinë nuk e ka pa mungesë pjellorie.
Prandaj Leonard, të qafsha matematikën dhe logjikën.