Bashkimi Europian i ka kërkuar qeverisë që të bëjë kujdes me paketën anti-KÇK të miratuar pak ditë më parë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca komentoi ditën e djeshme nga Vlora, Operacionin Forca e Ligjit, duke deklaruar se motoja “Ndiq paranë” është mënyra e më e mirë për të luftuar krimin e organizuar, ndërsa theksoi se ka vullnet politik për ta bërë këtë gjë.
Në një reagim për mediat, ambasadori i BE shtoi se Operacioni Forca e Ligjit duhet të jetë nën udhëheqjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Soreca kërkoi gjithashtu që përmes kësaj pakete të miratuar nga qeveria të respektohen edhe të drejtat themelore të njeriut. Ai shtoi se do të takojë edhe udhëheqësit e SPAK, ndërsa u shpreh se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. “Për sa i përket operacionit forcat e ligjit ne kemi bërë dhe më parë një deklaratë, dhe ne besojmë se logoja ndiq paranë është mënyra e duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe tregon vullnetin politik për të trajtuar këtë problem. Mënyra si do të implementohet ky ligj është shumë e rëndësishme dhe ne po e ndjekim nga afër.
Megjithatë mënyra sesi do zbatohet ky ligj është shumë e rëndësishme dhe ne po e ndjekim nga afër aplikimin e këtij ligji. Është shumë e rëndësishme që kjo strukturë e re të ndjekë natyrisht parimet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, por dhe me sundimin e të drejtave të njeriut, si dhe shumë e rëndësishme qe kjo platformë të punojë nën udhëheqjen e SPAK. Jam në kontakt me ministrin e Brendshëm dhe javën që vjen do takohem me udhëheqësit e SPAK”, tha Soreca.
Hapja e negociatave
Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca komentoi edhe hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke deklaruar se metodologjia e re e vlerësimit që po implementohet do i krijojë mundësinë Shqipërisë që të prezantojë veten në mënyrën e duhur në takimin e muajit mars. “Ju e keni parë dje që Komisioni Europian ka zbuluar një strategji të re për zgjerimin e tij, e cila shkon në një metodologji të re me çka kanë prezantuar disa shtete. Kjo do të diskutohet tashmë në Këshillin Europian, teksa Shqipëria duhet të vazhdojë përmirësimet dhe punën e saj gjatë pranverës. Strategjia e re është një hap përpara integrimit të Shqipërisë, pasi Shqipëria do të ketë mundësinë ta prezantojë veten në mënyrën e duhur në takimin që do të kemi gjatë muajit mars.
Ju më njihni tani, unë jam një njeri optimist, por jam dhe realist kështu që në 7 javët në vijim ne do të vazhdojmë të kemi rezultate të tjera në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në Vlorë kemi implementuar dhe financuar tre projekte madhore nga buxheti i BE dhe këto projekte për Vlorën si dhe mbështetja e BE do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Soreca. Ambasadori i BE foli edhe për konferencën e donatorëve, duke theksuar se do të jenë rreth 100 shtete të pranishme në këtë konferencë për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. Soreca theksoi se në këtë konferencë Shqipëria po trajtohet si të ishte vend anëtar i Bashkimit Europian. “Ne po punojmë shumë më besoni, dje ne prezantuam raportin që identifikojmë raportin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit, por edhe cilat janë nevojat që përballet Shqipëria tashmë pas kësaj fatkeqësie natyrore. Mund të them që janë rreth 100 shtete të pranishme në këtë konferencë, dhe mund të them që Shqipëria vërtet është trajtuar sikur të jetë shtet i Bashkimit Europian për ndihmat që i janë dhënë për tërmetin”, tha Soreca./Sot/ELISJEDA KIKO