Të paktën 12 persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat në një lokal mbrëmjen e djeshme në lindje të Torontos. Sipas raportimeve të mediave të huaja autori i dyshuar vijon të jetë jetë i lirë, ndërsa po ashtu thuhet se kishte vënë një kapuç të zi dhe u largua nga vendngjarja me një automjet ngjyrë gri.
Zyrtarët paralajmëruan publikun që të qëndrojë larg zonës, ndërsa mjekët e ndihmës së shpejtë thanë se skena e krimit pranë qendrës tregtare Scarborough Town Centre në qytet kishte njerëz me lëndime që varionin nga të vogla në më kritike.
Katër nga personat e lënduar kishin marrë plagë jo kërcënuese për jetën, por detajet e gjendjes së të tjerëve nuk dihen ende, sipas Sky News. Disa nga të plagosurit u dërguan në një qendër traume, por ende nuk ka asnjëasnjë informacion për moshën apo gjininë e tyre.
Një zëdhënës i Shërbimeve të Zjarrfikësve të Torontos tha për CBC News se ekuipazhet u përgjigjën në vendngjarje pasi morën raporte për të shtëna me armë zjarri aktive. Autoritetet nuk kanë ndarë detaje se çfarë mund të ketë shkaktuar dhunën.
Kryebashkiakja e Torontos Olivia Chow tha se ajo kishte folur me shefin e policisë Myron Demkiw dhe njoftoi se hetimet mbi ngjarjen kanë nisur dhe janë në vazhdim.
“Ky është një hetim i hershëm dhe në vazhdim – policia do të japë detaje të mëtejshme. Mendimet e mia janë me të plagosurit dhe familjet e tyre.”, shkroi ajo në rrjetet sociale.